E Diel, 1 Nëntor 2026

Kostani: Teknologjia e informacionit dhe komunikimi kontribuojnë në rritjen e mirëqenies sociale

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit mori pjesë në takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme, organizuar nga Kombet e Bashkuara, për rishikimin e përgjithshëm të zbatimit të rezultateve të Samitit Botëror të Shoqërisë së Informacionit (WSIS+20), me fokus ndërtimin e një shoqërie digjitale të përqendruar te njeriu, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt zhvillimit.

Në këtë kuadër, AKSHI, së bashku me përfaqësues të Bashkimit Europian, Polonisë dhe European University Institute, bashkorganizuan eventin “WSIS+20: Çfarë ofron teknologjia për një të ardhme digjitale gjithëpërfshirëse?”.

Në fjalën e saj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u shpreh se “Diella, asistente inteligjente e shërbimeve publike, është një shembull i guximshëm dhe inovativ që garanton shërbime gjithëpërfshirëse për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, duke reflektuar barazi gjinore, përfaqësim dhe vlera njerëzore. Inovacioni duhet t’u shërbejë njerëzve dhe jo t’i zëvendësojë ata”.

Romina Kostani, drejtore për Agjendën Digjitale dhe Projektet me Fonde të Huaja pranë AKSHI-t, prezantoi vizionin dhe arritjet e Shqipërisë në transformimin digjital. “Shqipëria është një shembull referencë se si teknologjitë e informacionit dhe komunikimit kontribuojnë në rritjen e mirëqenies sociale dhe gjithëpërfshirjes, duke pasur ndikim të thellë në ofrimin e shërbimeve publike. Në Shqipëri, ne kemi transformuar mënyrën se si qytetarët dhe bizneset ndërveprojnë”, u shpreh Kostani.

Sipas AKSHI-t, Shqipëria sot ka mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen vetëm online, ndërsa po punohet mbi strategjinë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale, në linjë me BE-në dhe modulin e IA për përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së, nënkampion në kategorinë “e-Government”, në WSIS Awards 2025.

Kostani u ndal gjithashtu te roli i IA në prokurimin publik, programi GovTech me Bankën Botërore, qendrat e inovacionit për të rinjtë, SmartLabs në shkolla, si dhe anëtarësimi i Shqipërisë në EuroHPC dhe ndërtimi i Qendrës Kombëtare HPC me mbështetjen e partnerëve evropiane.

Ministri gjerman për Transformimin Digjital dhe Modernizimin e Qeverisjes, Karsten Wildberger, vlerësoi qasjen e Shqipërisë si të guximshme dhe vizionare, duke theksuar se IA duhet të mbështesë vendimmarrjen njerëzore dhe të respektojë vlerat njerëzore.

Pjesëmarrja në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme konfirmon rolin e AKSHI-t në promovimin e një transformimi digjital të sigurt, etik dhe gjithëpërfshirës, në shërbim të qytetarëve dhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›