Përvoja shqiptare e AI në shërbimet publike, në Samitin e Inteligjencës Artificiale në Bruksel

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit morën pjesë në Samitin Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale, duke u bërë pjesë e diskutimeve me përfaqësues të institucioneve evropiane, qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe industrisë globale të teknologjisë.
AKSHI bën me dije në një njoftim, se drejtori për Inteligjencën Artificiale, Enio Kaso, ndau përvojën e Shqipërisë në përdorimin e AI në shërbimet publike.
Sipas njoftimit, fokusi në këtë sesion diskutimesh u mbajt te Diella, asistenti inteligjent i e-Albania-s, që rrit aksesin, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët; roli i AI-së në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në përkthimin ligjor dhe përafrimin me acquis-në dhe rëndësinë e një ekuilibri mes inovacionit, rregullimit, etikës dhe besimit në sektorin publik.
“Diskutimet theksuan se e ardhmja e AI-së në Evropë ndërtohet përmes zbatimit real, zhvillimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Shqipëria po pozicionohet aktivisht në këtë rrugëtim, me zgjidhje konkrete dhe të përgjegjshme për qytetarët dhe administratën publike”, thuhet në njoftim.
/e.i/j.p/