Krasniqi: AMA, monitorim të përhershëm 24 OSHMA-ve gjatë fushatës elektorale

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga OSBE dhe KQZ “Zgjedhjet 2025: Roli i medias në procesin zgjedhor – sfida dhe mundësi”.
Duke folur për detyrat kryesore që AMA kryen gjatë fushatës zgjedhore, Krasniqi tha se “për herë të parë AMA është angazhuar për monitorimin e fushatës zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme të prillit 2021. Neni 85 i Kodit Zgjedhor përcakton se monitorimi i fushatës zgjedhore në median vizive kryhet nga AMA dhe ky monitorim kryhet në të gjithë territorin ku zhvillohen zgjedhjet”.
“AMA pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara të cilat ia paraqet KQZ për kompetencë. Në zbatim të kodit zgjedhor KQZ me vendimin numër 2 të datës 30.1 2021 miratoi metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive në vend, akt në të cilin u parashikuan procedurat dhe teknikat që duhet të ndjekë AMA gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore. Kjo metodologji është ende në fuqi dhe vazhdon të jetë si një bazë themeltare për monitorimin dhe ekipet monitoruese të institucionit”, tha Krasniqi.
Me këtë metodologji, vijoi Krasniqi, ekipi monitorues i AMA-s ka shqyrtuar mbulimin e fushatës elektorale pas zgjedhjeve të përgjithshme 2021, por edhe në zgjedhjet vendore të 2023, apo në zgjedhje të pjesshme që janë zhvilluar për bashki të caktuara.
Kryetarja e AMA-s Krasniqi përmendi faktin se KQZ e ka hartuar metodologjinë e monitorimit bazuar në kërkesat e kodit zgjedhor, por edhe në kapacitetet teknologjike, teknike që zotëron institucioni që ajo drejton.
“Në proceset zgjedhore të 2021 dhe më pas dua ta theksoj këtë fakt nuk ka pasur asnjë ankesë nga subjektet politike konkurruese në këto zgjedhje, por po ashtu nuk ka pasur asnjë ankesë as nga televizionet, të cilat i janë nënshtruar këtij monitorimi, nuk ka pasur ankesa as nga kandidatët, nga gjetjet që AMA ka paraqitur përpara KQZ”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se “gjatë fushatës elektorale AMA mban monitorim të përhershëm 24 OSHMA, Ofrues të Shërbimit Mediatik Audio dhe Audioviziv, të cilat pavarësisht licencës së tyre janë të shtrira në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa për 29 OSHMA, monitorimi i tyre bëhet me përzgjedhje javore”.
“Lista me OSHMA e përhershme apo përkohshme i dërgohen paraprakisht KQZ. Është ky komision, i cili mund të bëjë ndryshime, zëvendësime të një kanali me një tjetër në varësi të ankesave që mund të shkojnë drejt këtij institucioni”, tha Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s foli edhe për angazhimin e AMA-s përpara zhvillimit të fushatës elektorale duke theksuar se “puna fillon më herët se 30 ditëshi i fushatës elektorale. Përpara fillimit të fushatës zgjedhore si dhe në vazhdim të saj AMA komunikon në mënyrë periodike më të gjitha radiot dh televizionet në vend me shkresa zyrtare përmes faqes së web me kontakte po ashtu të drejtpërdrejta duke bërë me dije të gjitha kërkesat e kodit zgjedhor, akteve nënligjore të miratuara nga KQZ, por edhe rëndësinë e zbatimit të tyre me përpikmëri nga institucionet mediatike”. /k.s/j.p/