Ngjarja jashtë shkollës “Fan Noli”, MAS: Thellësisht të tronditur, siguria në shkolla, prioritet absolut

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit reagoi sot për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën nxënësi i shkollës “Fan Noli”.
“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”, thuhet në reagim.
“Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje”, theksoi MAS.
“Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë”, shton MAS.
Ministria e Arsimit dhe Sportit thekson se, ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarte.
“Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, përfundon reagimi i MAS.
Policia e Shtetit njoftoi sot se “rreth orës 13:10, në rrugën “Qemal Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”.
“Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, theksohet në njoftimin e policisë.
/a.f/