Kremlini: Rusia do përgjigjet ashpër ndaj SHBA-së nëse çon raketa Tomahawk në Ukrainë

Kremlini deklaroi se Rusia do të përgjigjet ashpër nëse Shtetet e Bashkuara transferojnë raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të konsiderohet si eskalim i rëndë i konfliktit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente, vetëm disa ditë pasi zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, konfirmoi se Uashingtoni po shqyrton kërkesën e Kievit për këto raketa, të cilat mund të godasin objektiva deri në 1,600 kilometra largësi.
Peskov nuk dha detaje mbi masat e mundshme të Rusisë, por theksoi se Moska po analizon nëse transferimi i Tomahawk-eve do të shoqërohet me ndihmë amerikane për synimin e tyre, duke e cilësuar këtë si një hap që “mund të ndryshojë dinamikën e luftës”.
Këto paralajmërime vijnë në një kontekst tensioni të shtuar mes Rusisë dhe Perëndimit, pas shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore të NATO-s nga avionë dhe dronë rusë, si dhe sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky raportohet se ka nxitur presidentin e SHBA-së, Donald Trump për furnizimin me raketa Tomahawk gjatë një takimi të mbyllur në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 23 shtator.
Tomahawk-et, një komponent kyç i arsenaleve të SHBA-së, mund të fluturojnë në lartësi të ulëta, të kryejnë manovra dhe të riprogramohen në mes të fluturimit, duke i bërë ato ideale për goditje precize ndaj qendrave të komandës dhe nyjeve logjistike thellë pas vijës së frontit.
/rtsh.al/