E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ura” lidhëse e fëmijëve me artin, Emona Kraja, mësuesja që kontribuon në katër shkolla

Të jesh mësuese muzike në 4 shkolla 9-vjeçare nuk është vetëm sfidë që kërkon përkushtim, organizim dhe energji, por edhe një mision që mbart shumë dashuri për profesionin.

Emona Kraja e përmbush këtë mision duke u përcjellë fëmijëve pasionin për artin dhe magjinë e tingujve muzikorë.

“Është një punë impenjuese dhe kemi të bëjmë me fëmijë. Punohet me ta, ka talente që duhet të merresh me ta”, tha mësuesja.

Në programin e muzikës  fyelli ka vend të veçantë, ky instrument i thjeshtë bëhet ura e parë e nxënësve me botën e notave.

“Instrumenti i fyellit është shumë i bukur për ta. Është një emocion i bukur, sidomos kur janë të gjithë në grup dhe bëjnë meloditë e thjeshta”, thekson ajo.

Mësimi i muzikës me fëmijët sjell gjithmonë kënaqësi sepse përveç mësimit  shpesh zbulohen edhe talente të reja.

“Në fakt është një punë që e bëj me shumë pasion. Gjëja më e bukur është kur i sheh fëmijët, sidomos ato që spikasin edhe më shumë, e vazhdojnë talentin e tyre, marrin pjesë në audicione, marrin edhe çmime që krenohet i gjithë stafi ku unë punoj, por edhe prindërit”, tha mësuesja.

Muzika është e dashur për të gjithë dhe përmes saj fëmijët jo vetëm mësojnë  por edhe rriten me dashuri për artin dhe jetën.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›