Kriza për formimin e qeverisë në Kosovë, analistët përplasen mbi rolin e Albin Kurtit dhe “injorimin” e opozitës

Emisioni “3D” i RTSH-së, drejtuar nga Alban Dudushi, shërbeu si arenë debati edhe për krizën politike në Kosovë, e fokusuar te formimi i qeverisë së re dhe zgjedhja e Presidentit. Analistët Milaim Zeka dhe Lirim Krasniqi shfaqën qëndrime të kundërta rreth përgjegjësisë së situatës.
Argumenti i anashkalimit të VV-së
Analisti Lirim Krasniqi argumentoi se çdo përpjekje për të zgjidhur krizën politike do të dështojë nëse anashkalohet Lëvizja Vetëvendosje (VV). Ai tha se veprimet e tilla shkojnë në dëm të opozitës.
“Nuk ka ecje para duke anashkaluar Vetëvendosjen… Çdo lloj ideje që synon të anashkalojë VV shkon në kurriz të opozitës dhe nuk e zgjidh krizën,” u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se opozita mund ta zgjidhë krizën për qeverinë, por nuk ka kontroll mbi Albin Kurtin për të zgjidhur krizën e Presidentit, duke parashikuar mbase dhe zgjedhje të parakohshme.
Kundërpërgjigjjae Zekës: Kurti injoron opozitën dhe SHBA
Në kundërshtim të plotë, analisti Milaim Zeka fajësoi liderin e VV-së, Albin Kurti, për thellimin e krizës.
“Asnjë parti nuk po e anashkalon VV, por është VV dhe Albin Kurti që po injorojnë opozitën,” deklaroi Zeka.
Zeka shkoi më tej, duke argumentuar se zgjedhjet vendore e ndëshkuan Kurtin, meqë politika e tij bëri që serbët të bashkoheshin dhe të fitonin 9 komuna në raundin e parë.
Akuzat më të rënda të Zekës lidheshin me marrëdhëniet ndërkombëtare, ku ai e akuzoi Kurtin për futjen e vendit në rrezik sanksionesh, duke dëmtuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë.
“Nuk preken marrëdhëniet me BE dhe SHBA dhe nuk fut vendin në sanksione si Rusia dhe Bjellorusia, siç ka bërë Albin Kurti. Vetëm me menduar kundër SHBA, BE dhe Britanisë je antishqiptar,” tha Zeka.
Zeka paralajmëroi se Kosova mund të mos ketë qeveri deri në mars, duke sugjeruar se mos-zgjedhja e Presidentit do të vazhdojë të mbajë vendin në kaos politik. Ai shtoi se opozita mund të ketë marrë një “ultimatum” nga Ambasada e SHBA-së që të mos bëjë qeveri me Albin Kurtin.
/rtsh.al/