Kriza politike mban peng Kosovën, analistët: Shkak boshllëku kushtetues dhe mungesa e vullnetit të partive

18 seanca të dështuara dhe më shumë se 3 muaj pas zgjedhjeve parlamentare, partitë politike në Kosovë duket se ende nuk kanë vullnetin për t’i dhënë zgjidhje situatës. Por pse po zgjat kaq shumë procesi i konstituimit të Kuvendit?
Sipas analistëve politikë dy janë arsyet, e para boshllëku kushtetues që nuk parashikon një afat për kryerjen e kësaj procedure dhe e dyta mungesa e vullnetit nga subjektet politike.
Vakumin kushtetues partitë po e përdorin për të fituar kohë deri në procesin e ardhshëm që është ai i formimit të qeverisë e i cili llogaritet me orë.
“Vetëvendosja ka përzgjedhur këtë gropëm që t’i japë vetes kohë që të krijojë një shumicë artificiale. Nga ana tjetër as opozita nuk mundet me e formu një qeveri afatgjatë, pasi në më pak se 9 muaj do të shkojnë në zgjedhje prej presidentit”, tha analisti politik Ylli Hoxha.
Sipas analistit Hoxha, bashkimi i forcave të opozitës në këtë fazë, do t’ju kushtonte atyre elektorat në zgjedhjet e ardhshme të cilat do të ishin të pashmangshme. Megjithatë, peshën kryesore të përgjegjësisë e mban Albin Kurti dhe Vetëvendosja si e vetme parti me të drejtë për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit.
“Nëse Kurti nuk e bën qeverinë për 20 ditë atëherë mandati i tij i kalon një force tjetër”, shtoi Hoxha.
Analisti Blerim Burjani vlerëson se një rol më konkret në këtë proces do të kishte faktori ndërkombëtar, i cili sipas tij po qëndron larg për shkak se nuk e do Albin Kurtin me një tjetër mandat në krye të qeverisë.
“Faktori ndërkombëtar nuk ka interes me e zgjidh situatën e me i dhënë një tjetër qeveri Albin Kurtit, i cili nuk është bashkëpunues, nuk ka interes qytetar e popullor por ka vetëm interes partiak”, tha analisti Burjani.
Do të mbetet për tu parë nëse subjektet politike do të arrijnë një marrëveshje mes tyre apo çështja do të vazhdojë përmes nje procesi të gjatë nga Gjykata Kushtetuese apo një gjykate tjetër ndërkombëtare.
Shanset më të mëdha në këtë pikë janë për një koalicion mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës ose në të kundërt vendi do të shkojë në zgjedhje të reja përpara shtatorit./vizionplus.tv