Krizë e re në Kuvendin e Kosovës, nuk arrin të zgjedhë nënkryetarin serb

PRISHTINË, 30 gusht/ATSH/ Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë nënkryetarin e vet nga pakica serbe të shtunën, pavarësisht se i hodhi në votim nga tri herë të gjithë 10 deputetët serbë, duke e thelluar konstituimin e legjislaturës së re në një krizë të re.
Dy deputetë e Listës Serbe Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq nuk morën asnjë votë në tri runde votimi secili, pasi u hodhën në votim përmes shortit nga kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha.
Deputeti tjetër nga pakica serbe, Nenad Rashiq, nuk arriti të zgjidhej nënkryetar, pasi i mori 56 vota për, pesë më pak se 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Dështimi për ta zgjedhur njërin nga deputetët e hedhur në votim sot nënkupton se Kuvendi nuk ka më askënd nga pakica serbe për ta votuar për nënkryetar.
Në fillim të kësaj jave u duk sikur Kosova do të bëhej me Kuvend të ri më në fund pas një ngërçi të gjatë pas zgjedhjeve të shkurtit, sepse zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarët.
Megjithatë, partitë parlamentare kanë hasur sërish në mospajtime për votimin e nënkryetarit nga pakica serbe në Kuvend. rel/