E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kruja, destinacioni që ndërthur historinë, kulturën dhe turizmin malor - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ E vendosur në shpatet e malit, qyteti historik i Krujës, vetëm pak kilometra larg Tiranës, vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara turistike në Shqipëri, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj përmes trashëgimisë së pasur historike, traditave dhe bukurive natyrore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Kruja, një destinacion që ndërthur historinë, kulturën dhe turizmin e natyrës.

Kalaja mesjetare, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik janë ndër pikat kryesore që vizitorët zgjedhin të vizitojnë gjatë qëndrimit në qytet.

Një prej atraksioneve më karakteristike mbetet Pazari i Vjetër i Krujës, i cili ruan arkitekturën tradicionale. Në dyqanet artizanale turistët mund të gjejnë produkte tradicionale, suvenire, qilima, veshje popullore dhe objekte të punuara me dorë.

Përtej trashëgimisë historike, Kruja ofron edhe mundësi për turizëm natyror dhe malor. Peizazhet që shtrihen nga qyteti drejt zonave përreth dhe pamjet panoramike mbi ultësirën perëndimore e bëjnë atë një destinacion të përshtatshëm edhe për vizitorët që kërkojnë të ndërthurin historinë me natyrën.

Gastronomia tradicionale është një tjetër element që plotëson përvojën turistike. Gatimet karakteristike shqiptare, produktet vendase dhe mikpritja janë pjesë e ofertës që qyteti u prezanton vizitorëve.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›