E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5% - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur se edhe norma e interesit të depozitës njëditore do të mbahet e pandryshuar në nivelin 1.5%.

Po ashtu sipas tij, do të mbahet e pandryshuar norma e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky qëndrim ofron balancën më të mirë midis pasigurive të shtuara në këtë raund parashikimi dhe nevojës për një normalizim të mundshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen. Si i tillë, ai siguron kushtet më të favorshme monetare për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv”, u shpreh Sejko.

Po ashtu, Sejko theksoi se forcimi i presioneve të huaja inflacioniste dhe shtimi i rreziqeve rreth perspektivës ekonomike kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe fleksibël në drejtimin e politikës monetare.

“Për këto arsye, vendimet e ardhshme do të bazohen në informacionin e ri ekonomik e financiar, në vlerësimin e balancës së përgjithshme të presioneve inflacioniste dhe në rreziqet që rrethojnë kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv. Këshilli Mbikëqyrës do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet ekonomike e financiare dhe mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me intensitetin e duhur ndaj çdo rreziku që mund të cenojë stabilitetin e çmimeve”, shtoi Guvernatori i BSH-së.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›