Kryebashkiaku Llatja: Elbasani, një kantier ndërtimi. Fokusi te infrastruktura, bujqësia

Prej dy mandatesh Gledian Llatja është në krye të bashkisë së Elbasanit, duke ndarë me qytetarët e tij vizionin për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.
Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, z. Llatja rrëfeu se përvoja si pjesë e administratës në disa funksione e ka ndihmuar në qasjen që ka për zhvillimin e qytetit.
“Nuk mund të jesh një kryetar bashkie dhe të mos kesh një vizion për qytetin, si ta shohësh atë në 2030-ën apo në 2050-ën,” tregoi kryetari i bashkisë.
Infrastruktura ishte një nga problemet e para me të cilin u ndesh z. Llatja, si pasojë e zonave informale të krijuara pas viteve ’90.
“Në mandatin e parë, por edhe në të dytin, po i japim një rëndësi të madhe këtyre zonave. Kjo e ka dhënë efektin në investimet që kemi bërë te kanalet kulluese, vaditëse. Këtë na e tregon rritja ekonomike për sa i përket pjesës së bujqësisë.
Patjetër ka sfida, siç është Kalaja e Elbasanit, por zhvillimi turistik dhe potencializimi i zonave turistike ka qenë dhe mbetet një nga punët tona të vazhdueshme. Ne e shohim qytetin tonë si pjesë e ‘trekëndëshit’ Tiranë–Durrës-Elbasan,” deklaroi z. Llatja.
Tradicionalisht, Elbasani ka pasur turistë nga Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, pra Ballkani kryesisht.
“Tashmë është një treg tjetër. Ka francezë që vijnë, anglezë, italianët e preferojnë shumë Elbasanin, nga Izraeli, nga vendet e Azisë. Kultura është magneti kryesor që ne kemi, por kulinaria nuk mbetet pas. Sot po kthehet në trend turistik pjesa e të mësuarit të gatimeve të Elbasanit, siç po ndodh në Funar, Gjinar,” tha kryebashkiaku.
Një moment historik për qytetin ka qenë edhe ngritja e ekipit lokal të futbollit në kategorinë superiore.
“Ishim shumë skeptikë kur e nisëm sfidën tonë për ta ngjitur Elbasanin në elitë, aty ku i takon. Po bëhet një punë e madhe për sfidat e Superiores. Kemi pasur një merkato aktive për ekipin e futbollit, por nuk kemi lënë pas as ekipet e basketbollit, volejbollit. Është duke u zhvilluar kampionati europian U-18 i basketbollit dhe është ndër aktivitetet e para të këtij lloji që mbërrin në Pallatin e Sportit në Elbasan.“
Momentalisht Elbasani konsiderohet një kantier ndërtimi.
“Po punohet me tubacionet e ujit të pijshëm, se e kemi një problematikë me zhvillimin që ka marrë qyteti. Po investojmë në zonat kryesore të qytetit, por punët vijojnë edhe në zonat rurale. Urojmë shumë që brenda marsit të kemi përfunduar sistemimin e ujësjellës-kanalizimeve. Një investim tjetër serioz është Auto Moto Parku. Njërin nga segmentet urojmë të fillojë këtë vit. Presim edhe bajpasin e Elbasanit, pasi hyrje-daljet e qytetit janë kthyer në një gangrenë,” deklaroi z. Llatja.
/rtsh.al/