E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Rama: “Shqipëria do të lidhet me BE-në si Dibra me Tiranën”

Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një takim me socialistët e Qarkut Dibër, ku mbajti një fjalim të gjatë me tone politike dhe historike, duke u ndalur te përplasjet ndër vite me Partinë Demokratike, rrugëtimi i socialistëve në pushtet dhe objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë përballë asaj që ai e cilësoi si “forca e shkatërrimit”, duke akuzuar kundërshtarët politikë për kultivim të urrejtjes, përçarjes dhe konfliktit politik.

“PS e ka katalizuar fryma e tolerancës dhe e njerëzillëkut, ndërsa ata që kemi pasur përballë kanë qenë mishërimi i përçmimit dhe urrejtjes”, tha Rama para socialistëve dibranë.

Kryeministri kujtoi periudhën e viteve ’90 dhe përplasjet politike të ashpra mes mazhorancës së atëhershme dhe opozitës socialiste, duke përmendur edhe djegien e redaksisë së gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997 dhe, sipas tij, presionin politik ndaj opozitës së asaj kohe.

Ai tha se Partia Socialiste, edhe pas ardhjes në pushtet, nuk kërkoi hakmarrje politike, duke sjellë në vëmendje burgosjen e ish-kryeministrit Fatos Nano.

“PS nuk kërkoi revansh, por shtet të së drejtës. Kur lideri i saj doli nga burgu, nuk pati thirrje për hakmarrje politike, por për ndërtimin e një sistemi ku drejtësinë ta bëjë drejtësia dhe jo politika”, u shpreh Rama.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së kryesocialistit iu kushtua Rrugës së Arbrit, të cilën ai e konsideroi si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për Dibrën dhe gjithë verilindjen e vendit.

Rama deklaroi se ndërtimi i kësaj rruge u pengua për vite me radhë nga premtime të pambajtura dhe marrëveshje të dështuara të qeverive të mëparshme.

“Kemi gjetur një marrëveshje skandaloze për Rrugën e Arbrit, me kosto të lartë dhe me pagesa që do t’i rëndonin shqiptarët. Na thanë: firmoseni, se nuk ka për t’u bërë kurrë, por të paktën marrim votat e dibranëve. Ne vendosëm ta prishim atë marrëveshje dhe ta ndërtonim vetë rrugën”, deklaroi ai.

Kryeministri bëri paralelizëm mes realizimit të Rrugës së Arbrit dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke thënë se edhe rruga drejt Bashkimit Europian duket e vështirë, por do të realizohet.

“Po aq e vështirë sa dukej Rruga e Arbrit, po aq e vështirë duket sot rruga për në Bashkimin Europian. Siç e bëmë njërën, do bëjmë edhe tjetrën. Ashtu si nuk u tërhoqëm kur na doli pengesë tuneli i Murrizit, nuk do të tërhiqemi as nga rruga e integrimit”, tha Rama.

Ai shtoi se Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ashtu siç Dibra sot është më afër Tiranës falë Rrugës së Arbrit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe komentet e tij të bëra gjatë fushatës elektorale, duke kujtuar me humor reagimet ndaj deklaratës për “çyrykët”.

“Unë nuk e prisja që të gjithë çyrykët të provokoheshin dhe të thoshin se nuk jemi çyrykë, por burra. Dhe në fund burrat shkuan pas grave dhe nxorën nga kutitë e votimit fitoren më të madhe për PS”, tha ai mes batutash.

Kryesocialisti theksoi se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë një forcë politike e lidhur me interesin kombëtar dhe orientimin europian të vendit.

Sipas tij, PS ka treguar në këto 35 vite se është “e vetmja forcë europianizuese e Shqipërisë”, duke kujtuar edhe periudhën e luftës në Kosovë dhe qëndrimin e socialistëve shqiptarë në atë kohë.

Rama bëri gjithashtu një krahasim mes skemave piramidale të viteve ’90 dhe situatës politike të asaj kohe, duke thënë se shqiptarët u “zhveshën nga pasuria dhe u nxorën në rrugë si skllevër”.

Në fund të takimit, kryeministri tha se Partia Socialiste do të vijojë rrugën e reformave dhe integrimit europian, ndërsa u bëri thirrje socialistëve që të ruajnë frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës politike.

Takimi në Dibër u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste dhe mblodhi qindra mbështetës e drejtues lokalë të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›