E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me demokratët në Tiranë/ Salianji ‘sulmon’ Berishën: E ke kthyer PD-në në kotec dhe po e mban me zor!

Një ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi një takim me demokratë pranë Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, duke sfiduar hapur drejtimin e kryedemokratit Sali Berisha.

Takimi i organizuar nga Salianji mblodhi qindra mbështetës dhe figura të njohura të Partisë Demokratike, ndërsa aktiviteti nisi me himnin kombëtar dhe me fjalime të disa demokratëve të pranishëm.

Në fjalën e tij, Salianji deklaroi se lëvizja e nisur prej tij nuk synon ndarjen e Partisë Demokratike, por rikthimin e saj në një forcë politike fituese dhe moderne.

“Të gjithë ne nuk kemi asnjë privilegj nga PD, por kemi zemër dhe dinjitet. Kjo lëvizje nuk është asgjë tjetër veçse për ta kthyer PD-në dhe opozitën në krye të qeverisjes dhe për të mbyllur një orë e më parë ciklin e Edi Ramës”, deklaroi Salianji.

Ish-deputeti sulmoi drejtpërdrejt Sali Berishën, duke e cilësuar atë “autokrat të opozitës”, ndërsa tha se Partia Demokratike po reduktohet në një strukturë besnikërie ndaj një individi të vetëm.

“Rama është autokrati i Shqipërisë, Berisha autokrati i opozitës”, u shpreh ai.

Salianji kërkoi hapjen e Partisë Demokratike ndaj mendimit ndryshe, duke thënë se kritika nuk duhet të shihet si tradhti dhe se pluralizmi i brendshëm është shenjë force dhe demokracie.

“Ne kemi nevojë për një parti ku mendimi ndryshe promovohet dhe jo ndëshkohet. Në të gjitha partitë e mëdha europiane ekzistojnë fraksione dhe mendime të ndryshme. Problemi nis kur njëra palë përpiqet të asgjësojë tjetrën”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Salianji propozoi kufizimin e mandateve të kryetarit të PD-së në maksimum dy mandate, duke deklaruar se partia nuk mund të mbahet “si pronë personale”.

“Kryetari duhet të ketë kufizim prej dy mandatesh që të mos jetë i përjetshëm si ky që sillet si pronari i partisë”, deklaroi ai.

Ai kërkoi gjithashtu ndryshime në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, duke propozuar që 80% e listave të propozohen nga anëtarësia dhe 20% t’i lihen kryetarit të partisë për figura apo personalitete të rëndësishme.

Salianji u ndal edhe te largimi i të rinjve nga Partia Demokratike, duke thënë se mosha mesatare e takimeve të PD-së po rritet për shkak të përjashtimit të brezit të ri.

“Është e pafalshme që PD sot ka një moshë mesatare të plakur në takimet e saj, sepse të rinjtë janë përjashtuar”, tha ai.

Ish-deputeti akuzoi Berishën se po e mban PD-në “me zor”, ndërsa përdori metaforën e “kotecit të pulave” për të përshkruar gjendjen aktuale të opozitës.

“Demokracia nuk është mbajtja me zor e një koteci siç po bën zotëria. Demokracia është garë, debat dhe përballje me premtimet e pambajtura”, deklaroi Salianji.

Ai rikujtoi gjithashtu nenin e njohur si “Neni Basha”, i cili sipas tij ndalon kandidimin për kryetar të PD-së të çdo drejtuesi që humbet zgjedhjet.

“Neni 46 në PD e ndalon Berishën të kandidojë, pasi ka humbur zgjedhjet. Në vend që të përjashtohej ai nga gara, u përjashtuam ne”, tha Salianji.

Në fund të fjalës së tij, ish-deputeti deklaroi se lëvizja e nisur prej tij do të vazhdojë deri në reformimin e Partisë Demokratike dhe rikthimin e saj si alternativë qeverisëse për shqiptarët.

Takimi i Salianjit u zhvillua vetëm një ditë para Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, në një moment tensionesh dhe debatesh të forta brenda opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›