Kryeministri Rama takim me ministrat në Vilën 30, analiza dhe koordinimi i punës në fokus

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me ministrat në Vilën 30, në kuadër të analizës së punës dhe raportimeve periodike të kabinetit qeveritar.
Ky takim është pjesë e mbledhjeve rutinë që kreu i maxhorancës zhvillon me anëtarët e qeverisë, me fokus vlerësimin e performancës dhe koordinimin e mëtejshëm të punës.
Gazetarja Denada Shkodrana raporton se takimi ka nisur rreth orës 9 të mëngjesit, ku ministri i Brendshëm, Besfort Llamallari, bashke me Zv/ Ministrat dhe perfaqesues te kabinetit ishte i pari që mbërriti në Vilë e më pas ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me përfaqësues të kabinetit të tij.
Sipas gazetares, dy ministrat e lartëpërmendur raportojnë sot në takimin me kryeministrin Edi Rama.
Takimi i ministrit Llamallari lidhet edhe me zhvillimet në Ministrinë e Brendshme, ku pritet të zgjidhen dy drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit: drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i Policisë së Tiranës. Në takim ka qenë gjithashtu edhe drejtuesi i kompanisë shtetërore të Policisë.
“Ministrat kanë pak kohë që kanë marrë detyrën, dhe këto takime sistematike shërbejnë jo vetëm për të koordinuar punën dhe për zgjidhjen e problematikave që kanë hasur qytetarët, por edhe për raportim mbi ecurinë e punës së dikastereve. Ministrat janë gjithashtu të angazhuar në fushatën e PS për zgjedhjen e të gjitha strukturave të saj. Përveç përgjegjësive kushtetuese si ministra, ata kanë edhe përgjegjësi lidhur me detyrat politike, duke aktivizuar strukturat e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale vitin e ardhshëm”, tha gazetarja në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Vila 30.
Qëndrimi i ministrave në Vilë parashikohet të zgjasë deri në orën 12, ndërsa javën e kaluar disa prej tyre zhvilluan takime të ngjashme për të bërë raportime të detajuara mbi ecurinë e punës së dikastereve.
Analizës iu bashkua edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, të cilit mësohet se i është kërkuar të vijojë punën për sistemin e adresave në Ministrinë e Brendshme.
Sipas gazetares së RTSH-së, “është një takim i zgjeruar, pra janë më shumë se dy ministra, por nuk dihet nëse do t’i bashkohen analizës që po zhvillohet në ambientet e Vilës 30”.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, u zhvillua edhe mbledhja e Partia Socialiste e Shqipërisë, ku u morën vendime për ndryshimin e drejtuesve politikë në gjashtë qarqe të vendi.
/rtsh.al/