Kryeministrja daneze, Frederiksen: Pushtimi i Groenlandës nga SHBA do të shkatërronte NATO-n

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, paralajmëroi se çdo sulm nga Shtetet e Bashkuara ndaj një aleati të NATO-s do të sillte fundin e aleancës ushtarake dhe të rendit të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Deklarata e saj erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump riktheu kërcënimet për pushtimin e Groenlandës, ishull autonom që mbetet pjesë e mbretërisë daneze.
Trump, pas operacionit ushtarak në Venezuelë, tha se SHBA-të kishin nevojë “urgjente” për Groenlandën, duke nxitur frikën e një aneksimi.
Frederiksen e cilësoi këtë si “presion të papranueshëm” dhe “sulm të paarsyeshëm ndaj bashkësisë botërore”, duke theksuar se Danimarka dhe Groenlanda nuk do të pranonin kurrë të bëheshin pjesë e SHBA-së.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi ashpër duke i kërkuar Trump të hiqte dorë nga “fantazitë e tij për aneksim” dhe duke deklaruar se kërcënimet nuk kanë vend mes miqve.
Duke folur më vonë në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Nuuk, Nielsen u përpoq të qetësonte frikën e një pushtimi të afërt nga SHBA-të.
«Nuk jemi në situatën ku mendojmë se një marrje e kontrollit të vendit mund të ndodhë brenda natës», tha Nielsen, duke folur nëpërmjet një përkthyesi. «Nuk mund ta krahasosh Groenlandën me Venezuelën . Ne jemi një vend demokratik».
Bashkimi Evropian mbështeti Frederiksen dhe Nielsen, duke riafirmuar parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve anëtare. Ndërkohë, presioni politik mbi Frederiksen po rritet, pasi ajo përballet me zgjedhje të përgjithshme dhe kërkesa për plane konkrete në rast të një pushtimi.
Deputetja Aaja Chemnitz nga Groenlanda paralajmëroi se banorët duhet të “përgatiten për më të keqen”, duke e cilësuar retorikën e Trump si më seriozen deri tani dhe si shenjë e një “rendi të ri botëror”.
Megjithëse Trump ka qenë më i heshtur për këtë temë muajt e fundit, rikthimi i kërcënimeve ka hapur një debat të gjerë mbi të ardhmen e Groenlandës, NATO-s dhe rendit ndërkombëtar të sigurisë.
/rtsh.al/