“Nga stërvitjet te misionet jashtë vendit” , Vengu: ‘Misioni ka emër’, njerëzit në uniformë janë baza e FA

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë sot pamje nga stërvitjet e Forcave të Armatosura, duke vlerësuar përkushtimin e efektivëve në rritjen e aftësive profesionale dhe operacionale.
Në pamjet e publikuara nga ministri Vengu vërehen Forcat e Armatosura shqiptare, duke u stërvitur në zona malore dhe pyjore, duke krijuar situata të ndryshme rreziku, si pengmarrje etj.
Po ashtu, Vengu shkruan sem “Forca avancon çdo ditë përmes zhvillimit dhe aftësimit të çdo efektivi të përkushtuar,” u shpreh ministri, duke theksuar se “Misioni ka emër” dhe se kapitali njerëzor mbetet themeli i FA.
Stërvitjet po zhvillohen në disa zona të vendit, nga Burreli në Poshnje dhe nga Vau i Dejës në Bunavi, duke përfshirë skenarë të emergjencave civile, angazhime operacionale dhe përgatitje për misione ndërkombëtare.
“Kapitali njerëzor i Mbrojtjes mbetet aseti ynë më i çmuar, themeli i Forcave të Armatosura dhe baza për ringritjen e mëtejshme,” theksoi Vengu.
Nëntoger Ersi Mollaj, me detyrë komandant i Togës së Zbulimit në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut, tregoi për përvojën e tij, duke theksuar se, “Reparti ynë është i angazhuar brenda vendit në emergjenca civile, kërkim-shpëtim, shuarje zjarresh dhe në rast përmbytjesh. Krahas operacioneve brenda vendit, ne atashohemi edhe në misione paqeruajtëse jashtë kufijve, si në Kosovë, Bullgari dhe së fundi në Bosnje.”
Ndërsa ushtarja e kategorisë IV, Erato Buzalli, e cila shërben në Togën e Armëve të Rënda me detyrë automatikuese, ndau përvojën e saj pesëvjeçare në FA.
“Kam mbështetje shumë të madhe nga kolegët dhe eprorët e mi. Si eksperiencë më të bukur do të veçoja stërvitjen njëmujore në Gjermani. Ftoj të gjitha vajzat të marrin pjesë në Forcat e Armatosura, sepse është një eksperiencë shumë e bukur dhe me mision mbrojtjen e Atdheut.”
/rtsh.al/