E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryen transaksione dhe veprime bankare fiktive me vlerë 500 mijë euro, Prokuroria Shkodër dërgon në gjyq 4 persona

Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas të akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale, përmes skemave financiare dhe kontratave fiktive.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit A.C., A.G., G.G. dhe V.J. akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me pasoja të rënda.

Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë veprimesh financiare dhe juridike fiktive, përfshirë kontrata shkëmbimi pronash, dhurime dhe shitblerje, si dhe transaksione bankare të simuluara.

Sipas Prokurorisë, këto veprime janë realizuar me qëllim pastrimin e një shume prej 500 mijë eurosh, e cila është sekuestruar gjatë hetimeve paraprake.

 “Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.C., A.G., G.G., dhe V.J., për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 287/3 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1280, të vitit 2021 u arrit të provohet se shtetasit A.C, A.G, G.G dhe V.J, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer kontrata (shkëmbime pronash, dhurime dhe shitje) dhe veprime bankare fiktive me qëllim pastrimin e produkteve penale në shumën prej 500 000 (pesëqind mijë) euro, shumë që është sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›