Kryenegociatorja Dhuka: Marrëdhëniet BE-Shqipëri në fazën më të avancuar, Shqipëria synon Traktatin e Anëtarësimit brenda dy viteve

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, mori pjesë sot në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSH), ku prezantoi një vizion ambicioz për procesin e integrimit.
Dhuka shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen politike të brendshme, duke përfshirë të gjitha forcat e pozitës dhe opozitës. Po kështu, ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes nga Parlamenti Evropian, edhe kur ka diferenca mendimesh mbi progresin, duke kërkuar më shumë zhvillim në çështjet prioritare.
Një fazë e avancuar e marrëdhënieve
Kryenegociatorja theksoi se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Brukselit janë sot në “fazën më të avancuar se sa kanë qenë ndonjëherë,” si në aspektin politik dhe diplomatik, ashtu edhe atë ekonomik. Ajo veçoi zhvillimet e rëndësishme, si Samiti i Komunitetit Politik Evropian, ku Shqipëria shërbeu si “vatër e ideve politike të Evropës.”
Dhuka theksoi se kjo aspiratë do të vijojë, pasi Shqipëria synon të shërbejë si vatër e ideve politike të aleancës euroatlantike edhe në Samitin e NATO-s në vitin 2027.
Në aspektin ekonomik, BE mbetet partneri tregtar më i rëndësishëm dhe investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor.
Dhuka shprehu ambicien që rajoni të kthehet në një “front të ri investimesh” për kompanitë evropiane që mund të zhvendosen nga tregjet e tjera.
Roli i parlamentit dhe Traktati i Anëtarësimit
Dhuka shprehu besimin se në takimin e ardhshëm të KPSH-së, dy parlamentet do të diskutojnë për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ajo theksoi rolin kritik të dy parlamenteve (shqiptar dhe evropian) në krijimin e “një shtrati politik pranimi të këtij traktati” dhe në ngritjen e një shkalle më të lartë pranimi tek qytetarët evropianë. Duke vlerësuar se mbështetja e qytetarëve shqiptarë ndaj BE-së është mbi 90%, ajo nxiti forcimin e mbështetjes publike evropiane për zgjerimin.
Dhuka përfundoi duke aspiruar që, brenda katër viteve, Shqipëria të rrisë “maturitetin politik të një vendi pjesëmarrës në Parlamentin Evropian.”
/rtsh.al/