Kryepeshkop Joani dënon sulmin terrorist në kishën e Damaskut

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, ka reaguar sot për sulmin terrorist në Kishën e Profetit Ilia në Damask të Sirisë.
“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e dënon këtë akt dhune, aq më tepër që ndodhi në orarin e shenjtë të lutjes, gjatë Misterit të Falënderimit Hyjnor”, thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse, publikuar në rrjetet sociale.
Në deklaratë përmenden edhe fjalët e kryepeshkopit të ndjerë Anastas, sipas të cilit “askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve. Feja është dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë më afër individët dhe popujt”.
Gjatë sulmit të djeshëm në Damask, dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën. Kryepeshkop Joani shprehu ngushëllimet e sinqerta për familjet e viktimave dhe mbështetjen për Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, Joan, si edhe për të gjithë komunitetin ortodoks të Sirisë.
“Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës”, shkruhet në deklaratën e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
1 nga 3/a.f//r.e/