E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepolici për avokatin: Të presim prokurorinë

 

GJIROKASTER - “Nuk e shikoj të arsyeshme të reagoj pas letrës së Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë për çështjen e diskutuar të avokatit Aliko”. Kështu deklaroi Drejtori i Policisë së Gjirokastrës Arben Hyseni pas letrës mbështetëse që forumi më i lartë i avokatëve të Shqipërisë u drejtoi institucioneve qendrore të vendit. “Prokuroria ka marrë në shqyrtim sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur me avokatin Bernard Aliko, duke pyetur të gjithë protagonistët e saj. Do të dalë së shpejti në përfundim e rrjedhimisht që komentet janë të tepërta para përfundimit të hetimeve”, u shpreh kryepolici i Gjirokastrës Hyseni. Ndërsa dega lokale e PS-së me anë të një deklarate, dje mbështeti grevën e avokatëve. Kreu socialist i Gjirokastrës Florijan Hysi, në një konferencë për shtyp mbështeti iniciativën e fundit të Dhomës së Avokatëve të Gjirokastrës për bojkotimin e seancave gjyqësore deri në penalizimin e drejtorit të Policisë së Gjirokastrës Arben Hyseni dhe përgjegjësve të tjerë të kësaj ngjarjeje. Dy javë më parë avokati Bernard Aliko, u prangos për 10 minuta pa asnjë lloj shpjegimi nga autoritetet policore. Pas kësaj ngjarjeje ai reagoi duke i kërkuar policisë së Gjirokastrës shkakun e këtij incidenti. Ditën e parë të ngjarjes, policia pranoi se prangosja e avokatit ishte bërë pasi e kishin ngatërruar me një person tjetër që ishte i dyshuar.                      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›