E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, e zë korrenti, vdes punëtori i firmës së ndërtimit

 

DURRES - Një punëtor ndërtimi ka humbur jetën i goditur për vdekje nga rryma elektrike. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, kur shtetasi Shpëtim Catri, 31 vjeç nga Kavaja ka gjetur vdekjen në kantierin e firmës “2 ART Konstruksion”. Mësohet se viktima ishte pa kontratë pune. Catri ushtronte profesionin e shoferit të betonierës së kësaj shoqërie ndërtuese. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Ahmet Marku, me profesion inxhinier ndërtimi. Sipas burimeve të policisë, Marku është drejtues teknik i kantierit në plazhin e Durrësit ku po ndërton shoqëria në fjalë. Lidhur me këtë ngjarje u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit në Durrës. Vdekja në punë ndodhi në të njëjtën kohë kur në pjesën tjetër të Durrësit po zhvillohej një konferencë kundër punësimit në të zezë në sektorin e ndërtimit. Ky takim u mundësua falë mbështetjes financiare të qeverisë irlandeze, ku i pranishëm ishte dhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Sektori më jetik i ekonomisë shqiptare ai i ndërtimit, është prekur më rëndë nga informaliteti. Kërkesa e bizneseve për fuqi punëtore, ka bërë që ky sektor të thithë kontigjente njerëzish të patrajnuar, të pasiguruar. Aty shpeshherë punohet duke shpërfillur edhe masat e sigurisë në kantiere dhe veshjet kundër gjymtimeve në punë. Në konferencë u dhanë shifra alarmante për sa i përket punëtorëve të pasiguruar. “Shqipëria ka katër herë më shumë punëtorë në të zezë, sesa vendet e tjera të BE-së, në të cilat synojmë të integrohemi. Kjo shifër konstatohet vetëm në ndërtim”, u tha në raportin e konferencës. Strategjia më e shpejtë për të minimizuar këtë fenomen është bashkërendimi i grupeve të interesit mes sindikatës, komunitetit dhe punëdhënësve, në mesin e së cilës qeveria të luajë rolin e rregullatorit. Në takim u vlerësua edhe nga faktori ndërkombëtar nisma e fundit qeveritare, e cila konsideron vepër penale punësimin pa siguracion. Objektiv i konferencës është rishikimi i problemit të ekonomisë informale në sektorin e ndërtimit dhe gjetja e rrugëve për zgjidhjen e tij përmes partneritetit social, nën dritën e praktikës së vendeve të tjera të BE-së dhe përvojës së ILO-s. Pjesëmarrësit miratuan rekomandime dhe hartuan një plan pune për të luftuar ekonominë informale në sektorin e ndërtimtarisë, i vetmi i cili po përjeton një “bum” të vërtetë zhvillimi.                            o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›