E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeprokurorja evropiane Laura Kövesi viziton Greqinë për të hetuar mbi keqpërdorimin e fondeve evropiane

Kryeprokurorja evropiane Laura Kövesi viziton Greqinë, ndërsa vijojnë hetimet për mashtrim me fondet e Bashkimit Evropian.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), po ndjek tre raste të mëdha mashtrimi me fondet e BE-së.

Rasti më i rëndësishëm lidhet me “Kontratën 717”, një projekt prej 41 milionë eurosh për sinjalizimin hekurudhor, që nuk u realizua kurrë.

Nëse projekti do të ishte përfunduar, aksidenti hekurudhor i Tempit në vitin 2022 që vrau 57 persona mund të ishte shmangur, tha Kryeprokurori i EPPO-së Kövesi në gusht.

Rasti i dytë përfshin abuzimin me subvencionet bujqësore, ku aplikantë falsifikuan dokumente për të përfituar fonde.

Pas skandalit, katër ministra dhanë dorëheqjen dhe agjencia përgjegjëse u shpërbë.

Rasti i tretë, “Operacioni Kalipso”, përfshin rrjete kriminale të udhëhequra nga shtetas kinezë, të akuzuara për shmangie të detyrimeve doganore dhe TVSH-së për mallrat që hynin në BE përmes portit të Pireut. Janë sekuestruar mbi 2,400 kontejnerë.

Euractiv shkruan se vizita e Kövesit ka tensionuar marrëdhëniet me qeverinë greke.

Ajo ka kritikuar Kushtetutën për mbrojtjen e ministrave nga ndjekja penale dhe ka kërkuar nga Komisioni Evropian rishikimin e këtyre dispozitave.

Kryeministri Mitsotakis dhe zyrtarë të tjerë kanë reaguar ashpër, duke e akuzuar për tejkalim të kompetencave.

Gjatë vizitës, Kövesi do të takohet me zyrtarë të lartë, përfshirë ministrat e financave, drejtësisë dhe të brendshëm, si dhe me drejtues të policisë, doganave dhe prokurorisë.

Të enjten pritet një konferencë për shtyp në portin e Pireut, për të theksuar rëndësinë e operacionit Kalipso.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›