E Diel, 1 Nëntor 2026

Netanjahu: S’do ketë shtet Palestinez! Hamas: Po studiojmë planin amerikan për Gazën

Nëpërmjet një videoje në Telegram, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se, sipas planit të miratuar, trupat izraelite do të mbeten në pjesën më të madhe të territorit.

“Ishte një vizitë historike. Në vend që Hamasi të çonte në izolimin tonë, ne e ndryshuam situatën dhe e izoluam Hamasin. Tani e gjithë bota, përfshirë botën arabe dhe myslimane, po i bën presion Hamasit që të pranojë kushtet që vendosëm së bashku me Presidentin Trump: të lirojë të gjithë të rrëmbyerit tanë, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, ndërsa IDF mbetet në pjesën më të madhe të territorit”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

I pyetur nëse kishte rënë dakord për krijimin e një shteti palestinez gjatë vizitës së tij, Netanyahu e mohoi në mënyrë kategorike:

“Absolutisht jo, dhe as nuk është shkruar në marrëveshje. Por një gjë e thamë: ne jemi fuqimisht kundër një shteti palestinez. Presidenti Trump e tha gjithashtu se e kupton qëndrimin tonë. Ai deklaroi gjithashtu në OKB se një veprim i tillë do të ishte një shpërblim i madh për terrorin dhe një rrezik për shtetin e Izraelit. Dhe sigurisht, ne nuk do të pajtohemi me të.”

Nga ana tjetër, Hamasi ka thënë se do të studiojë planin amerikan dhe, në pas, do të japë një përgjigje nëse e pranon ose jo atë. Propozimi kërkon që Hamasi të dorëzohet dhe të çarmatoset në këmbim të përfundimit të luftimeve, ndihmës humanitare dhe premtimit për rindërtimin e Gazës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›