Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në Arabinë Saudite: Transparenca, çelësi për drejtësi të besueshme

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ndodhet në Riad ku po merr pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Drejtësinë, një forum i rëndësishëm global që synon krijimin e platformave për dialog dhe inovacion në fushën e drejtësisë.
Në delegacionin shqiptar janë të pranishëm edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, Artur Kalaja dhe Sokol Binaj, të cilët pritet të zhvillojnë takime dypalëshe me homologë nga vende të ndryshme për shkëmbim përvojash dhe nxitje të bashkëpunimit institucional.
Sadushi mbajti fjalën e tij në Sesionin e Dytë të konferencës, ku trajtoi rolin e procedurave gjyqësore në garantimin e cilësisë së drejtësisë.
Ai theksoi se qartësia, koherenca dhe transparenca procedurale janë elementë thelbësorë për besimin e publikut dhe funksionimin e drejtë të sistemit gjyqësor.
Në ndërhyrjen e tij, Sadushi prezantoi përvojën e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke ndalur veçanërisht tek transformimi i Gjykatës së Lartë në aspektin organizativ dhe teknologjik.
Ai vuri në pah rritjen e efikasitetit në trajtimin e çështjeve, përshpejtimin e proceseve vendimmarrëse dhe reduktimin e stokut të dosjeve, falë metodave të menaxhimit inteligjent dhe digjitalizimit të procedurave gjyqësore.
Sadushi nënvizoi se përdorimi i teknologjisë, transparenca e vendimeve, standardet procedurale dhe komunikimi publik kanë krijuar një raport të ri besimi mes qytetarëve dhe sistemit gjyqësor.
“Këto elementë jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e vendimmarrjes, por edhe fuqizojnë pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.
/rtsh.al/