Kufizime për mjetet e vogla lundruese në Vlorë për shkak të përkeqësimit të motit

Për shkak të përkeqësimit të parashikuar të kushteve hidrometeorologjike detare, duke filluar nga ora 14:00 e datës 24 korrik 2026 deri në 06:00 të datës 25 korrik 2026, autoritetet detare kanë vendosur masa kufizuese për lundrimin në zonën e Vlorës.
Sipas njoftimit, priten erëra në drejtimin veri–veriperëndim me forcë deri në 6–7 ballë Beaufort (15–25 m/s) dhe dallgë me lartësi nga 1.5 deri në 3.5 metra.
Gjatë kësaj periudhe, ndalohet pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që planifikojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur dhe në zonën Dhërmi–Himarë.
Ndërkohë, mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin në konsideratë kushtet e rënduara të detit.
Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari detare të bashkëpunojnë për marrjen e masave të nevojshme, duke siguruar mjetet lundruese në port dhe duke rritur gatishmërinë e ekuipazheve.
Ndërkaq, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve të tyre.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 25 korrik 2026.
/rtsh.al/