Kujtohet rrëzimi i komunizmit, ish-të përndjekurit politikë rrëfejnë përballjen me diktaturën

35 vite pas rënies së komunizmit jetojnë ende kujtimet e një epoke të shkuar.
Ish-të burgosur politikë, familjarë të të pushkatuarve, të rinj dhe studiues u mblodhën për të shënuar tre dekada e gjysmë nga rrëzimi i diktaturës, në një aktivitet të organizuar në kuadër të 15-vjetorit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Për shumë prej tyre, kjo ditë nuk është thjesht një ngjarje akademike, por një moment kujtese të thellë. Në rrëfime ndjehet ende pesha e internimeve, punëve të detyruara, torturave dhe ndarjeve të dhunshme familjare.
“Jeta nuk ka çmim. Mua, ja ku jam sot, por nuk kam pasur jetë, as njerëz. Dhe nuk janë pak. Janë gati gjysmë shekulli. Më 26 qershor të ’89-ës, unë kam marrë dënimin: nga 5 vjet, ma bënë 10 vjet. Mirë që nuk u shqetësuam shumë, nuk e morëm shumë seriozisht, sepse komunizmi kishte filluar të shkërmoqej. Sigurisht, bashkë me të tjerët na dërgonin në punë bujqësie. Na kontrollonin vazhdimisht sepse donin të na kishin nën kontroll”, tha Simon Mirakaj, ish i përndjekur politik.
Studiuesit nënvizojnë se Shqipëria, edhe pas 35 vitesh, nuk e ka kryer plotësisht procesin e ndarjes me të shkuarën komuniste.
“35 vite pas rrëzimit të sistemit, Shqipëria duhej të kishte përfunduar procesin e ndarjes me të kaluarën dhe studimit të saj. Arkivat duhej të ishin hapur, por kjo nuk ka ndodhur. Shoqëria shqiptare, me kulturë demokratike minimale, vazhdon të prodhojë mite për ngjarjet e ’90-ës. Detyra jonë si studiues është të mbledhim dokumentacionin, të sjellim elemente ende të pa bërë publikë dhe të realizojmë një analizë të thelluar për çdo grup shoqëror”, tha studiuese Afrim krasniqi.
Organizatorët e aktivitetit theksojnë se Instituti, në 15 vjet punë kërkimore, ka bërë hapa të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të diktaturës, por procesi i zbardhjes së të shkuarës mbetet ende i papërfunduar./vizionplus.tv