Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në bashkinë e Kukësit po vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore para fillimit të vitit të ri shkollor.
Drejtoria e Shërbimeve Komunitare ka nisur zbatimin e një plani të detajuar pune për mirëmbajtjen e objekteve arsimore dhe institucioneve të edukimit parashkollor me synimin për të garantuar kushte optimale në prag të vitit të ri shkollor.
Në qytetin e Kukësit, ndërhyrjet për riparimin, lyerjen dhe sistemimin e klasave, kopshteve dhe çerdheve tashmë kanë përfunduar.
Aktualisht puna po vijon në shkollat e njësive administrative. Këto ndërhyrje përfshijnë lyerje, sistemim hapësirash të brendshme e të jashtme, si dhe punime mirëmbajtjeje të domosdoshme, në mënyrë që çdo institucion të ofrojë një mjedis të pastër, funksional dhe mikpritës.
“Synimi është që në shtator, çdo shkollë, kopsht dhe çerdhe të jetë gati për të pritur fëmijët, nxënësit dhe stafet pedagogjike në kushte dinjitoze, duke respektuar standardet e higjienës, sigurisë dhe cilësisë”, thuhet në njoftimin e bashkisë Kukës.
1 nga 13/m.m/