E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, punohet për rrugën Nangë-Krenzë, parashikohet të përfundojë në prill, zgjidhje për banorët

Në fshatin Nangë po punohet për ndërtimin e rrugës që e lidh atë me Krenzën. Punimet duket se kanë avancuar, kjo falë edhe kushteve të motit të këtij dimri. Konturimi i rrugës me murëmbajtëse dhe kanale anësore thuajse ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj.

Në trasé po hidhen shtresat e çakullit dhe stabilizantit. Për banorët kjo rrugë ishte problemi më shqetësues, ndaj ndërtimi i saj ishte domosdoshmëri. “Kjo rrugë është shumë e nevojshme për këtë lagje sepse nuk është thjesht një lagje, por po ndryshohet dhe po bëhet fshat. Kjo shërben si një unazë për të lidhur fshatarët dhe mesa duket kanë punuar mirë, kanë pastruar dhe hedhur beton,” – u shpreh një prej banorëve.

Rruga përshkon njërën prej lagjeve të fshatit Nangë, e cila po zgjerohet ditë pas dite me ndërtime të reja. “Kjo është një rrugë e domosdoshme dhe që duhej bërë më herët, por sikurse thotë populli, ‘më mirë vonë se kurrë’,” – u shpreh një tjetër banor.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge nisën në vjeshtën e kaluar dhe pritet të përfundojnë në fund të muajit prill të këtij viti. Rruga ka një gjatësi totale prej 3 kilometrash. Nis nga degëzimi i rrugës nacionale drejt fshatit Krenzë e më pas kalon në lagjet e fshatit Nangë deri në kryqëzimin e Lapidarit. Pjesë e investimit janë edhe degëzimet dhe disa rrugë brenda fshatit Krenzë dhe lagjeve në Nangë.

Fondi i vënë në dispozicion është rreth 43 milionë lekë pa TVSH, i gjithi financim i brendshëm buxhetor i Bashkisë së Kukësit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›