Paketa e 20-të e sanksioneve ndaj Rusisë-Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arrijnë dot marrëveshjen

Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën një marrëveshje për paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Këtë e bëri të ditur në konferencën për shtyp pas mbledhjes shefja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.
“Fatkeqësisht, nuk arritëm marrëveshje për paketën e 20-të të sanksioneve. Kjo është një pengesë dhe një mesazh që nuk donim ta dërgonim sot,” tha ajo ndërsa shtoi se puna për paketën do të vazhdojë.
“E kemi parë këtë skenar më parë. Po zhvillojmë kontakte në nivele të ndryshme me kolegët hungarezë dhe sllovakë për të avancuar këtë paketë. Nuk është kurrë e lehtë, por puna vazhdon. Vërtet më vjen keq që nuk arritëm marrëveshje sot, duke pasur parasysh se nesër është përvjetori i trishtë i fillimit të kësaj lufte. Ne vërtet duhet të dërgojmë sinjale të forta për Ukrainën se vazhdojmë ta ndihmojmë atë, ndërsa njëkohësisht ushtrojmë më shumë presion ndaj Rusisë që kjo luftë të ndalet,” tha Kallas.
Duke theksuar nevojën për të rritur presionin ndaj agresorit, ajo shtoi se “duhet ta kthejmë skenarin nga presioni mbi Ukrainën për të dorëzuar territore, te ajo që Rusia duhet të bëjë për të plotësuar kushtet bazë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Kallas paralajmëroi gjithashtu se BE-ja nuk duhet të pësojë dëme anësore nga pasojat e luftës së Rusisë.
“Duhet të jemi të qartë për atë që presim nga Rusia: respekt për kufijtë, ndalim i sabotazheve, pagesë e dëmeve të luftës dhe kthim i fëmijëve ukrainas të rrëmbyer – nuk janë detyra të largëta, ato duhet të jenë minimumi bazë,” tha ajo.
Ky dështim vjen në prag të përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë rus të Ukrainës (24 shkurt 2026) dhe lidhet kryesisht me kundërshtimin e Hungarisë, e cila ka bllokuar paketën (që synon flotën e hijes ruse dhe të ardhurat nga energjia) dhe ka penguar edhe përparimin e huas së 90 miliardë eurove për Ukrainën, duke i lidhur me çështjen e tranzitit të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba.
/rtsh.al/