E Premte, 6 Nëntor 2026

Kuko për progresraportin e BE-së: Përgjegjësia për mungesën e dialogut politik është e të gjitha palëve

Deputetja socialiste Romina Kuko, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, tha se progresraporti i BE-së për Shqipërinë nuk duhet parë si një provim apo notë për qeverinë, por si një hartë për ecurinë e vendit drejt integrimit europian.

Sa u përket problematikave të evidentuara, ajo theksoi se përgjegjësia për mungesën e dialogut politik dhe mosrealizimin e reformave është e të gjitha palëve, ndërsa nënvizoi rëndësinë e konsensusit për reformën zgjedhore dhe forcimin e institucioneve.

INTERVISTA E PLOTË:

Për Kuvendin në raport theksohet se ka një kontroll të dobët mbi qeverinë dhe një mungesë të dialogut politik. Cili është refleksioni juaj?

Reklamë

Romina Kuko: Ky progres-raport nuk është një provim apo një notë provimi, por është një hartë për ecurinë e Shqipërisë, kështu që kështu duhet ta lexojmë të gjithë. Edhe nëse ka lëvdata aty, duhet parë si një arritje e qeverisë dhe e gjithë Shqipërisë, në fakt e gjithë shtetit bërë drejt Bashkimit Europian. Nëse ka kritika, ato janë pika në të cilat ne do të duhet të ndërhyjmë në mënyrë që të afrohemi sa më shumë në Bashkimin Europian. Lidhur me parlamentin, me mbikëqyrjen parlamentare si një komponent shumë i rëndësishëm i demokracisë, nuk duhet të harrojmë që jo më larg se në muajin maj ne patëm një rezolutë të përbashkët me opozitën, edhe krahas raportit të mëparshëm të Këshillit Europian, ku jepnim të gjithë konsensusin tonë të përbashkët lidhur me bashkëpunimin për reformat e Bashkimit Europian. Ajo që ndodhi më pas, të gjithë jemi koshientë,  ishin përplasjet shumë të mëdha duke hedhur poshtë atë dokument, çka do të thotë që në një detyrim për të bashkëpunuar janë dy palë, nuk është vetëm një palë. Kështu që ky raport nuk është se kritikon pjesën e mazhorancës, por kritikon të gjithë mënyrën se si funksionon parlamenti, se si kryen funksionet e veta, se si ka debat të brendshëm parlamentar, dhe sigurisht që është një pikë që duhet sistemuar sepse nuk duhet të harrojmë që sesioni i ri ka filluar në shtator dhe janë disa seanca të cilat mbyllen menjëherë. Ne nuk kemi mundësi të debatojmë aty për shkak të dhunës ekstreme në Kuvend. Sa i përket së ligjeve të qeverisë,  sigurisht që komisionet parlamentare janë ato që skrutinizojnë e kalojnë të gjithë legjislacionin e qeverisë, por edhe aty do të duhet të ketë një debat të qenësishëm, çka do të thotë që mirëfunksionimi i Kuvendit do të ishte patjetër në themel, edhe duke pasur parasysh dialogun që do të duhet të kemi me të gjitha palët e përfshira.

Një tjetër kritikë që theksohet për Shqipërinë është drejtësia. Ka ndërhyrje politike dhe sulme ndaj magjistratëve. Cila është pjesa e përgjegjësisë, sipas jush, e qeverisë, e shumicës?

Romina Kuko: Aty në radhë të parë, do të filloj tani me pjesët pozitive, thuhet që procesi i vetingut ka përfunduar dhe aty thuhet që patjetër drejtësia e re ka filluar të funksionojë. Nuk duhet të harrojmë që kjo reformë në drejtësi është unike për sa i përket thellësisë së saj dhe patjetër që kur vjen puna për problematikat e veta në tranzicionin drejt asaj çka ne quajmë drejtësi të re, ka edhe çështje të caktuara. Unë nuk mendoj se pjesa e sulmeve ka të bëjë me qeverinë. Ne e dimë shumë mirë kush e ka sulmuar publikisht dhe kush vazhdon ta sulmojë publikisht sistemin e drejtësisë, gjyqtarët. Ne e dimë shumë mirë kush e etiketon. Kështu që nuk besoj që qeveria ka një rol apo një përgjigje për të dhënë. Unë nuk mund të flas për qeverinë duke qenë se tani jam në tjetër pozicion, por nuk duhet të harrojmë që edhe kur kam qenë pjesë e qeverisë si zëvendësministre e Brendshme kam parë të njëjtin paragraf nëpër raporte[. Kjo nuk i referohet absolutisht demarheve të qeverisë kundër sistemit të drejtësisë, por patjetër atyre që, sapo e pamë edhe në insertin tuaj, duan që si e si ta nxjerrin këtë sistem drejtësie si një sistem të kapur apo me atë mentalitetin e vjetër që drejtësia nuk mund të jetë asnjëherë e shkëputur nga leva e qeverisë.

Korrupsioni, mungesë rezultatesh të mjaftueshme përfundimtare. Pjesë nga raporti. Refleksioni juaj.

Romina Kuko: Kur flasim për rezultate përfundimtare kemi të bëjmë me atë që quhet track record. Track record\-i është ai që mat jo vetëm goditjet e korrupsionit, por vendimet përfundimtare gjyqësore. Pra, ato që kanë vlerë në Bruksel, ato që kanë vlerë në Komision, nuk janë vetëm çështjet e filluara, por janë ato që marrin një vendim gjykate dhe, nëse është e mundur, një vendim të formës së prerë. Çka do të thotë që sigurisht korrupsioni luftohet dhe ka raste të filluara, por e rëndësishme është që ato të finalizohen me dënime në mënyrë që drejtësia më në fund të flasë. Deri në momentin kur dikush nuk është i dënuar nga drejtësia, ka prezumimin e pafajësisë, dhe kjo i referohet kur flasim për rezultate përfundimtare. Sigurisht që pjesa e luftës kundër korrupsionit është një nga pjesët më të rëndësishme drejt demokratizimit të vendit, duke pasur parasysh që kjo është edhe arsyeja pse ne kishim një reformë të re në drejtësi. Kështu që besoj se i referohet asaj pjese dhe jo vetëm pjesës ku evidentohen apo çohen përpara drejtësisë në një proces çështje të caktuara.

Pjesë e rëndësishme e procesit politik dhe e demokratizimit të vendit sigurisht janë zgjedhjet politike, dhe këtu kritika sigurisht është për të gjitha forcat politike: rekomandimet ende të pazbatuara të OSBE/ODIHR-it prej vitesh e vitesh. Edhe përgjegjësia, edhe shumica ka përgjegjësinë e saj.

Romina Kuko: Patjetër që po. Procesi zgjedhor dhe reforma zgjedhore është një pikë shumë e rëndësishme edhe e raportit të progresit të Bashkimit Europian, por edhe e raporteve të vazhdueshme të OSBE/ODIHR-it. Sigurisht që aty ka kërkesa të cilat gjatë viteve patjetër që janë plotësuar e realizuar, por nuk duhet të harrojmë që këto reforma janë produkt i një konsensusi të palëve të përfshira. Ne kemi një tryezë të reformës zgjedhore e cila po shqyrton tani një reformë të re zgjedhore, por siç e thashë edhe njëherë, është diçka e cila është produkt i konsensusit politik. Nuk duhet të harrojmë për shembull që ne humbëm tre vite për votën e diasporës, duke pasur parasysh që palët nuk binin dakord. Sigurisht që kjo ishte një kërkesë jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por një kërkesë e vetë shqiptarëve që të kishin mundësi të votonin, dhe prapë ishte e vështirë për të gjetur konsensus përgjatë viteve. Kështu që besoj se e gjitha kjo ka një emërues të përbashkët që ka të bëjë me dialogun si në parlament, ka të bëjë me dialogun ndërpartiak dhe ka të bëjë edhe me bashkëpunimin kur vjen puna për reformat madhore të vendit tonë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›