E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kultivuan bimë kanabisi, vihen në pranga dy kushërinj në Berat

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ 2 shtetas janë vënë në pranga pasi kultivuan bimë kanabisi, në fshatin Osmëzezë në Berat.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve me metoda proaktive, të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit, në vendin e quajtur “Moçali”, në fshatin Osmëzezë, u zbulua një parcelë ku ishin kultivuar 64 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan.

Gjatë ndërhyrjes, u kapën në flagrancë në parcelë, shtetasit S. M., 29 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. M, u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu çifte dhe disa fishekë të armës së gjahut.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›