E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Fenomeni i zjarreve gjithnjë e më i pranishëm, 440 mijë hektarë u dogjën në gusht në Evropë

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vetëm në gusht janë djegur 440 mijë hektarë në territorin e Evropës dhe pjesa dërrmuese e tyre në territorit e Evropës jugore, pra në aksin midis Spanjës dhe Turqisë ku gjendemi edhe ne, dhe bëhet fjalë për dyfishin e mesatares së llogaritur të 20 viteve të fundit”.

Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale me qytetarët, Rama mori shembullin e Spanjës dhe Turqisë që gjithashtu po vuajnë pasojat e zjarreve masive këtë verë të nxehtë.

“Këtë e them që të kuptohet një gjë. Ne mund të flasim shumë, ne mund të japim shumë mendime dhe të gjitha janë legjitime. Disa mund të thonë jo po duhen disa roja më shumë, disa mund të thonë jo po duhen disa avionë më shumë, disa mund të thonë jo po kjo, jo po ajo. Po flasim për fuqi të mëdha. Spanja është një nga fuqitë më të mëdha të NATO-s, është një nga ekonomitë më të mëdha, është një nga shtetet më të fuqishme dhe është përballur me një situatë shumë të rëndë”, u shpreh Rama.

“Turqia ka 55 500 njerëz të evakuuar në këto momente që flasim. 55 500 njerëz të evakuuar dhe dihet shumë mirë se çfarë avionësh dhe çfarë dronësh, çfarë ushtarësh e çfarë rojesh e çfarë organizimi ka Turqia. Pra duhet një reflektim i vockël fare për të mos bërë menjëherë nxjerrjen e konkluzioneve si ata që i nxjerrin konkluzionet nga shkallët e stadiumit dhe që janë trajnerët më të mirë sa pa u ulur aty në stolin ku rri trajneri dhe për të kuptuar që patjetër ka gjëra që duhen bërë më shumë më mirë. Patjetër ka gjëra që duhen adresuar, por nuk ka asnjë forcë magjike që të ndalojë zjarret”, theksoi Rama.

Rama theksoi se, “ky është një fenomen që po shkon duke u bërë gjithmonë më prezent”.

Kreu i qeverisë dha edhe një të dhënë tjetër.

“Në mes të korrikut të dhënat e sistemit evropian të zjarreve në pyje tregojnë se 230 mijë hektarë u dogjën. Pra flasim këtu në mesin e korrikut, brenda kufijve të BE-së që do të thotë rreth 117 % e mesatares. Pra mbi mesataren e 20 viteve të fundit. Pra më shumë se dyfishin”, tha Rama.

Rama gjithashtu nënvizoi faktin se “këtë herë kemi pasur në dispozicion forca ajrore më shumë se çdo herë tjetër për shkak se kemi pasur nevojë më shumë se çdo herë tjetër”.

“Po t’ju marr t’ju rendis shtetet një e nga një të gjitha kanë situata me rritje të ndjeshme të zjarreve, të evakuimeve dhe të pasojave. Të gjitha pa përjashtim. Diçka duhet të na thotë kjo panoramë, kjo pasqyrë e përgjithshme ndryshe nga çfarë flasin ata që krihen. Lehaqeniet që krihen përpara pasqyrës kur digjen pyjet e Shqipërisë”, tha Rama.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›