E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: 6761 punonjës arsimorë të punësuar para 2017-ës, trajtim të barabartë me kolegët

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në një seancë pyetje-përgjigje të kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho në seancën e sotme plenare të Kuvendit, sqaroi për publikun, ndryshimin ligjor të miratuar nga Këshilli i Ministrave përmes një shtese në ligjin e arsimit parauniversitar që u garanton trajtim të barabartë financiar 6761 punonjësve arsimorë të punësuar përpara Sistemit të Bolonjës.

Kumbaro theksoi se çështjet e ngritura nga deputetja Xhixho janë zgjidhur që në fillim të muajit mars, kur në Kuvend u miratuan ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar.

“Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhej pikërisht me një padrejtësi do të thoja të krijuar ndër vite në trajtimin financiar të një kategorie mësuesish. Bëhet fjalë për ata që janë punësuar përpara datës 1 mars 2017, me kohë të plotë dhe pa afat, dhe që zotërojnë diploma të cilat, për shkak të kohëzgjatjes së programeve të studimit, nuk ekuivalentoheshin me 8 semestra sipas kuadrit ligjor në fuqi”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro garantoi se përmes ndryshimit ligjor, janë 6761 punonjës arsimorë që përfitojnë trajtim të barabartë në raport me kolegët e tyre, duke i dhënë fund një hendeku të padrejtë në sistemin e pagave. Ministrja shpjegoi se hendeku u bë më i dukshëm pas rritjes historike të pagave kur në korrik 2024, për herë të parë, paga mesatare e një mësuesi arriti në rreth 950 euro.

Kumbaroi po ashtu sqaroi angazhimin e ministrisë për ta adresuar këtë çështje menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Që nga dita e parë, Ministria e Arsimit ka qenë e angazhuar për ta zgjidhur këtë çështje. Por ndërkohë, ajo u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup interesi, duke sjellë një bllokim të përkohshëm deri në vendimmarrjen e kësaj gjykate. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ne e rimorëm këtë çështje me prioritet dhe punuam bashkë me stafin e Ministrisë së Arsimit gjatë muajve të fundit, por edhe në koordinim me deputetët e Kuvendit dhe të Komisionit për Edukimin”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi gjithashtu se nga muaji janar i këtij viti, procesi i indeksimit të pagave me 2,5% ka nisur dhe është reflektuar tashmë në pagat e mësuesve dhe të gjithë stafit të sistemit parauniversitar.

“Janë rreth 30 mijë mësues dhe punonjës pjesë e aparatit të Ministrisë së Arsimit që përfitojnë nga ky proces i indeksimit. Ndërsa së bashku me edukatorët, me kujdestarët e konvikteve, instruktorët, psikologët, punonjësit socialë, pra me të gjitha figurat që janë pjesë e pandashme e sektorit të arsimit, pavarësisht nëse varen direkt apo jo nga Ministria e Arsimit, është mbi 36 mijë punonjës”, tha Kumbaro.

Sa i takon mësuesve, ky proces është zbatuar në mënyrë të unifikuar në të gjitha drejtoritë rajonale të Arsimit Parauniversitar.

“Në çdo rast, rritja është reflektuar pa përjashtim, me të gjitha shtesat përkatëse, duke garantuar trajtim të drejtë dhe korrekt për çdo mësues në të gjithë vendin”, përfundoi ministrja.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›