E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Bashkëpunim me UNESCO-n për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë

TIRANË, 25 mars/ATSh/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s, Khaled El-Enany, në kuadër të agjendës së saj të takimeve të nivelit të lartë në Paris.

Gjatë takimit, Kumbaro theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me UNESCO-n në mbështetje të reformave në arsim, veçanërisht për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.

Ajo nënvizoi gjithashtu se programi passhkollor në Shqipëri përputhet me prioritetet e UNESCO-s për edukimin e fëmijëve përmes artit, kulturës dhe artizanatit, në një kohë kur sfidat e teknologjisë kërkojnë qasje të reja në mësimdhënie.

“Në selinë qendrore të UNESCO-s, një ritakim i shumëpritur me detyra të reja me mikun e hershëm, drejtorin e përgjithshëm Khaled El-Enany, ish-ministër i Kulturës dhe Turizmit të Egjiptit, i cili tashmë ka nisur misionin në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro e ftoi drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s për një vizitë zyrtare në Shqipëri, me synimin për të thelluar bashkëpunimin në fusha kyçe si arsimi, kërkimi shkencor, trashëgimia kulturore, mjedisi dhe biodiversiteti.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, duke shprehur gatishmërinë e organizatës për të mbështetur më tej vendin në fushat e mësuesisë, transformimit digjital dhe edukimit mediatik.

Vizita e ministres në Paris zhvillohet në kuadër të një agjende të gjerë ndërkombëtare, ku po merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga UNESCO për prezantimin e Raportit Global të Monitorimit të Arsimit 2026, me pjesëmarrjen e ministrave të arsimit nga e gjithë bota.

1 nga 2

/m.m/r.e/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›