Kumbaro: Bizneset buzë detit, mendësi të re për mjedis pa ndotje akustike për pushuesit

zhur
TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro u ndal sot gjatë inspektimit në plazhin e Himarës, edhe në një biznes privat, bar-lokal buzë plazhit të Potamit.
E shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo dhe drejtori i policisë, Kumbaro zhvilloi një bisedë me sipërmarrësin e këtij biznesi, për shqetësimet që vijnë nga pushuesit në lidhje me zhurmat dhe muzikën me volum të lartë.
Kumbaro tha se “shqetësimet e zhurmave të larta nga baret dhe hotelet buzë detit, janë një prej ankesave më të shpeshta të pushuesve gjatë sezonit, për të cilat Policia e Shtetit është pajisur me mjete të certifikuara për matjen e nivelit të zhurmës dhe marrjen e masave në rast shkeljesh”.
Ministrja Kumbaro u shpreh se takimi me Gjergjin, sipërmarrësin e barit buzë detit në Potam, jep më shumë optimizëm për një mendësi të re të krijuar në menaxhimin e sezonit turistik, ku modeli i qytetarisë dhe i bashkëjetesës në harmoni, në fund të ditës garantojnë klientë, pushues dhe sipërmarrës turistikë të kënaqur.
Ministrja e falënderoi sipërmarrësin që u bë aleat në promovimin e modeleve të bizneseve atraktive buzë detit, pa qenë nevoja sipas Kumbaros për të bërë zhurmë e më keq akoma për t’i zgjidhur gjërat me anë të policisë.
/e.i/j.p/