E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Gjykata e Larte kufizon fuqinë e gjyqtarëve për të bllokuar urdhrat e Trump

UASHINGTON, 27 qershor /ATSH/- Gjykata Supreme e SHBA-së i dha sot presidentit Donald Trump një fitore të madhe duke kufizuar fuqinë e gjyqtarëve federalë për të imponuar vendime kombëtare që pengojnë politikat e tij – por la të pazgjidhur çështjen nëse ai mund të kufizojë shtetësinë e të drejtës së lindjes, sipas “Reuters”.

Megjithatë, vendimi i gjykatës – i shkruar nga gjyqtarja konservatore Amy Coney Barrett – nuk e lejoi urdhrin ekzekutiv të Trump mbi shtetësinë e të drejtës së lindjes të hynte në fuqi menjëherë.

Gjykatat më të ulëta e bllokuan atë për të rishqyrtuar fushëveprimin e urdhrave të tyre.  Vendimi gjithashtu nuk trajtoi ligjshmërinë e tij.

Gjyqtarët miratuan një kërkesë nga administrata Trump për të ngushtuar fushëveprimin e tre urdhrave kombëtarë – të lëshuar nga gjyqtarët federalë në Merilend, Masaçusets dhe shtetin e Uashingtonit – që ndaluan zbatimin e direktivës së tij ndërsa zhvillohet një padi që sfidon politikën.

Vendimi specifikoi se urdhri ekzekutiv i Trump nuk mund të hyjë në fuqi deri 30 ditë pas vendimit të ditës se sotme – duke mundësuar që urdhri i Trump të hyjë në fuqi përfundimisht në disa pjesë të vendit.

Trump e mirëpriti vendimin dhe kritikoi gjyqtarët që kanë lëshuar urdhra në të gjithë vendin duke penguar politikat e tij.

“Ishte një kërcënim i rëndë për demokracinë, dhe në vend që të vendosnin për çështjet e menjëhershme, këta gjyqtarë janë përpjekur të diktojnë ligjin për të gjithë kombin”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke i përshkruar këta gjyqtarë si “të majtë radikalë”.

Në ditën e tij të parë në detyrë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke iu drejtuar agjencive federale të refuzonin njohjen e shtetësisë së fëmijëve të lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që nuk kanë të paktën një prind që është shtetas amerikan ose banor i përhershëm i ligjshëm, i quajtur edhe mbajtës i “kartës së gjelbër”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›