E Martë, 3 Nëntor 2026

Kumbaro: Botohet në Britaninë e Madhe udhëzuesi turistik për Shqipërinë


TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Në Britaninë e Madhe sapo është botuar udhëzues për Shqipërinë nga shtëpia botuese prestigjioze “DK Travel”.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ndau një video të shkurtër në rrjetet sociale.

“Tristan Rutherford, reporteri dhe gazetari i udhëtimeve i dashuruar me natyrën dhe mikpritjen shqiptare, pas promovimit që i ka bërë vendit tonë në media si “The Sunday Times”, “The Guardian” dhe “BBC”, tashmë ka publikuar “ALBANIA”, një guidë destinacionesh, shijesh, arkitekture e trashëgimie shpirtërore, si një ftesë dinjitoze për të zbuluar Shqipërinë me gjithë përvojat e saj”, shkruan Kumbaro.

Kumbaro nënvizon se, “kjo guidë është më shumë se një libër udhëtimesh, është një ftesë për të përjetuar Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj: nga plazhet te trashëgimia kulturore, nga kuzhina autentike tek mikpritja shqiptare që mbetet e paharrueshme për çdo vizitor”.

Kumbaro thekson se kjo guidë është një përmbledhje elegante e vendeve për t’u vizituar, historive për t’u ndjerë dhe përvojave për t’u jetuar, teksa uron gazetarin Tristan Rutherford dhe e falënderon që të vazhdojë të ecë me pasion në rrugën e promovimit të Shqipërisë.

/gj.m//r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›