Kumbaro: “Dasma Gjirokastrite”, xhevahir i trashëgimisë kulturore

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ “Dasma gjirokastrite”, një spektakël ritesh tradicionale të zonës prezantoi para turistëve vendas e të huaj një pjesë të çmuar të identitetit tonë kombëtar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot në rrjetet sociale disa foto nga ky event i organizuar në qytetin e gurtë, i cili përcjell elementë dhe rite tradicionale të dasmës gjirokastrite.
Kumbaro e cilësoi “Dasmën Gjirokastrite”, një krenari kulturore të Gjirokastrës.
“Edhe këtë vit, ishte spektakël ritesh, adetesh e emocionesh që la një shije të mirë tek banorët, turistët e gjithë kureshtarët të cilët u bënë pjesë e këtij xhevahiri të trashëgimisë sonë kulturore”, tha ministrja Kumbaro.
Ky event synon mbajtjen gjallë të kësaj pjese të çmuar të identitetit kombëtar, por edhe prezantimin e tij tek turistët e shumtë që e vizitojnë Gjirokastrën.
“Dasma Gjirokastrite” ka për qëllim që këto rite të rijetohen të plota dhe natyrisht t’i shërbejnë rritjes të vazhdueshme të numrit të turistëve që vizitojnë Gjirokastrën.
Ky event bëri bashkë artistë popullorë të Gjirokastrës e Libohovës që i dhanë gjallëri këtij spektakli.
Riti i hollimit të bakllavave, dita e vetullave, nata e brumit, riti i kënasë, dita e nuses, riti i berberit, veshja e dhëndrit, janë disa prej zakoneve më të njohura e të përdorura në dasmën gjirokastrite, por që nga viti në vit po zhduken.
1 nga 11/m.m/j.p/