E Martë, 3 Nëntor 2026

Kallëzimi i gjyqtares Irena Gjoka, SPAK thërret Berishën për të dhënë shpjegime

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha të paraqitet nesër (10 qershor), ora 10:00, për të dhënë shpjegime në lidhje me një kallëzim të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili ka publikuar edhe shkresën e SPAK.

Sipas avokatit Genc Gjokutaj, arsyeja e thirrjes është një kallëzim i depozituar nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjokutaj e cilëson këtë veprim si pjesë e një praktike të njohur në drejtësinë shqiptare.

Berisha në deklarata publike e ka akuzuar gjyqtaren se ka 3 mbiemra dhe se është  e përfolur për ryshfete gjysmë milionëshe, jo në një por në disa raste. Sipas Berishës, Gjoka rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga kolegji penal i Janinës, me burg dhe gjobë.

Urdhri përcakton se Berisha duhet të paraqitet personalisht në ambientet e SPAK, pranë hetuesit të BKH-së, Ardrit Neli, duke sjellë me vete një dokument identifikimi.

Urdhri bazohet në nenin 312 të Kodit të Procedurës Penale, që rregullon paraqitjen e detyruar të një personi për hetime. SPAK thekson se në rast të mosparaqitjes pa një arsye të ligjshme, do të urdhërohet shoqërimi i detyruar i personit të thirrur.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›