E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Dy maturantë në Elbasan u përjashtuan për përdorim celulari, respektoni rregullat e provimeve

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Dy maturantë nga gjimnazet e qarkut të Elbasanit janë përjashtuar nga provimi i Gjuhës së Huaj të zhvilluar më 2 qershor, pasi tentuan të hynin në qendrën e provimit me telefon celular dhe ta përdornin atë gjatë testimit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale teksa  thekson se  në këtë mënyrë maturantët penalizuan të gjithë përpjekjet dhe punën e tyre përgjatë 3 viteve të arsimit të mesëm.

Kumbaro u bën apel maturantëve të tregojnë kujdes maksimal në provimet e tjera të Maturës Shtetërore.

“Mbi 2000 mësues administratorë dhe 170 monitorues nga Ministria e Arsimit do të jenë të pranishëm në çdo qendër provimi për të garantuar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”, tha Kumbaro.

Për të shmangur çdo problem, maturantët duhet të respektojnë disa rregulla; të jenë në ambientet e shkollës në orën 08:30; të kenë me vete kartën e identitetit; të paraqiten me veshje të rregullt dhe uniformën e shkollës; nuk lejohet telefoni celular dhe ora smart, si dhe të kenë sjellje korrekte dhe përqendrim maksimal gjatë testimit.

Maturantët më 9 qershor do të zhvillojnë provimin e Gjuhës shqipe dhe letërsisë, më 16 qershor Matematikën dhe më 23 qershor Provimin me zgjedhje.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›