Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño”

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Fenomeni klimatik “El Niño” mund të rikthehet në muajt e ardhshëm me një intensitet të pazakontë, duke rritur temperaturat globale dhe duke sjellë reshje ekstreme në shumë rajone të botës, paralajmëroi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), agjenci e Kombeve të Bashkuara.
Sipas ekspertëve të WMO-së, ekziston një probabilitet prej rreth 80% që El Niño të formohet para muajit shtator, ndërsa disa modele klimatike sugjerojnë se ai mund të shndërrohet në “Super El Niño”, një nga episodet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë.
“El Niño0 është një fenomen natyror që karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor tropikal. Edhe pse ndodh periodikisht, ndikimet e tij ndihen në shkallë globale, duke ndryshuar modelet e reshjeve, temperaturave dhe stuhive.
Ekspertët paralajmërojnë se, i kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, “El Niño0 mund të çojë temperaturat mesatare botërore në nivele rekord. Në disa zona priten periudha të gjata thatësire, ndërsa rajone të tjera mund të përballen me reshje intensive, përmbytje dhe fenomene të tjera ekstreme të motit.
Ngjarjet e mëparshme të forta të El Niño-s kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, furnizimin me ujë, ekosisteme dhe ekonomi në mbarë botën. Episodi i viteve 1997-1998, i konsideruar ndër më të fuqishmit e shekullit të kaluar, solli humbje miliarda dollarëshe dhe ndikoi në jetën e miliona njerëzve.
Organizata Botërore Meteorologjike thekson se monitorimi i vazhdueshëm dhe përgatitja e hershme janë thelbësore për të zbutur pasojat e mundshme të këtij fenomeni klimatik në muajt dhe vitet në vijim.