Kumbaro: Krijimi i Agjencisë së Shërbimeve Arsimore me ekspertizën e Kembrixhit

TIRANË, 31 mars/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se po vijon puna për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një institucion që do të reformohet me një sistem të ri, transparent, meritokratik dhe të besueshëm për administrimin dhe zhvillimin e testimeve në vend.
Kumbaro tha se “së fundmi është zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, me mbështetjen e të cilit po punohet për reformimin e këtij institucioni sipas standardeve dhe ekspertizës më të mirë ndërkombëtare. Në këtë proces është përfshirë edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili kontribuon me ekspertizë teknike dhe mbështetje financiare”.
“Kemi miratuar në qeveri ligjin që e kthen në një Agjenci Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ndërsa sapo jemi kthyer nga një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, me mbështetjen e të cilit po punojmë për ta reformuar sipas standardeve dhe ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, së bashku me partnerët e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, që ndihmojnë me ekspertizë teknike dhe financiare”, nënvizoi Kumbaro, duke shtuar se bëhet fjalë për provimet e Maturës Shtetërore, provimet e profesioneve të rregulluara, por edhe testet ndërkombëtare si PIRLS apo TIMS.
Kumbaro u shpreh se “Agjencia e re e Shërbimeve Arsimore do të përfitojë nga Universiteti i Kembrixhit në gjashtë fusha, si forcimi i sistemit, transformimi digjital, rritja e cilësisë dhe transparencës, trajnimi i stafit, qëndrueshmëria financiare dhe planifikimi strategjik”.
Sipas ministres Kumbaro, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore përbën edhe piketën përmbyllëse të Kapitullit 26, të dedikuar arsimit.
“Me miratimin e këtij ligji, ky kapitull konsiderohet i përfunduar”, tha Kumbaro.
Konferenca për shtyp e ministres së Arsimit, Kumbaro. Foto: Andrin Hoxha 1 nga 10/k.s/a.f/r.e/