E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro: Mbyllja e kapitujve për arsimin dhe shkencën, arritje e ekipit negociator

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi miratimin nga COREPER për mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë një arritje të rëndësishme për vendin dhe për ekipin negociator.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja shprehu krenarinë për faktin se ndër tre kapitujt që mbyllen janë Kapitulli 25 “Shkenca dhe Kërkimi Shkencor” dhe Kapitulli 26 “Arsimi dhe Kultura”, fusha për të cilat Ministria e Arsimit ka drejtuar procesin e negociatave.

“Shumë krenare për Shqipërinë dhe për ekipin e Ministrisë së Arsimit. Tre kapitujt e parë që mbyllen në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian janë Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi Shkencor dhe Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura, së bashku me Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se ky është një vlerësim për punën e ekipit negociator dhe të institucioneve të përfshira në proces.

“Një arritje që na bën krenarë dhe që vlerëson punën e jashtëzakonshme të të gjithë ekipit”, tha ministrja.

Sipas saj, të martën delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, së bashku me ekipin negociator të Ministrisë së Arsimit, do të jetë në Bruksel për Konferencën Ndërqeveritare, ku do të hidhet një tjetër hap në procesin e anëtarësimit.

“Do të jemi në Bruksel, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, kolegët dhe ekipin negociator të Ministrisë së Arsimit, për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në këtë rrugëtim historik, me shumë krenari, përgjegjësi dhe besim se Shqipëria po ecën me ritmin e duhur drejt familjes europiane”, përfundoi ajo.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›