E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Programi “Pas shkolle” synohet të shtrihet në të gjitha shkollat

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se synohet që të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar të përfshihen në programin “Pas shkolle”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve pas mbledhjes së qeverisë, Kumbaro tha se “sa i përket ushqimit po bashkëpunojmë me bashkinë e Tiranës dhe shumë shpejt kalojmë një tjetër vendim të Këshillit të Ministrave, që i hap mundësi ligjore njësive të qeverisjes vendore që të mund të ofrojnë shërbim ushqimi, por edhe kjo kërkon infrastrukturë përkatëse”.

“Në bashkëpunim me ministrin për pushtetin vendor dhe bashkitë qendër qarku do të bëjmë të gjithë kriteret e standardet për pajisjen e shkollave me hapësira për të konsumuar ushqim. Përgatitja e infrastrukturës ligjore dhe infrastrukturës fizike për një gjë të tillë ka filluar dhe do të përparojmë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u ndal edhe te projektet pas shkolle dhe gjithë programet e tjera për nxënësit.

“Janë projekte që kanë 10 vjet që zhvillohen në formate të ndryshme. Herë janë quajtur “Shkolla qendër komunitare”, ku në shkolla janë bërë investime në terrene sportive, të cilat janë të hapura edhe për aktivitetet pas shkollës si për komunitetin dhe për aktivitetet pas shkolle të nxënësve. Projekti tjetër “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe gjithë paketa e aktiviteteve që shoqërojnë çdo vit gjithë jetën edukative të nxënësve në shkolla nga klasa e parë deri në të 12-ën”, nënvizoi Kumbaro.

Sipas saj, janë organizuar olimpiada në të gjitha lëndët dhe vitin që vjen do të shtohet një olimpiadë e re, për gjuhët e huaja.

“Konkursi i gjuhës shqipe me klasat e 9-ta, për herë të parë futëm Festivalin e Shkencës janë të gjitha aktivitete që zgjasin që fillojnë në tetor dhe mbyllen në maj. Janë shtuar edhe shkollat ku po zbatohet projekti “Toka në shkolla”, që përfshin nxënësit në një aktivitet në një marrëdhënie me tokën bimën, natyrën, si dhe janë shtuar orët e edukimit mjedisor”, tha Kumbaro.

Këtë vit, shtoi Kumbaro, u risistemua kjo tipologji aktivitetesh, sepse sipas saj është e rëndësishme që të jenë të përfshira edhe në ligj.

“I dhamë formë ligjore dhe miratuam një vendim të Këshillit të Ministrave ku rritëm shpërblimin dhe dyfishuam shpërblimin për mësuesit të cilët angazhohen në këto orë jashtëshkollore mbi normën e tyre normale dhe për të përfshirë një burim njerëzor që vjen nga mësuesit në pension”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “synimi është që të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar të përfshihen në këtë aktivitet, sepse e quajmë shumë të rëndësishëm për edukimin e fëmijëve stablitetetin e tyre intelektual, por edhe për t’i shkëputur ata nga varësia e teknologjisë dhe ekranit të celularit, i cili është i ndaluar në orët mësimore”.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›