E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtoi provat dixhitale dhe akuzën për vjedhje, ish ministri Beqaj kërkon pushimin e dosjes së sterilizimit

Në GJKKO u zhvillua seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në procesin e njohur si dosja e Sterilizimit. Ndryshe nga seancat e mëparshme, Beqaj nuk qëndroi në kafazin e sigurisë, por u ul pranë avokatëve të tij, ndërsa në sallën e gjyqit u shoqërua nga Policia e Burgjeve.

Gjatë seancës, ai paraqiti kërkesat paraprake, ku për pjesën më të madhe kërkoi pushimin e çështjes. Beqaj kundërshtoi provat dixhitale të administruara nga SPAK, duke pretenduar se janë marrë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës së Lartë e të Gjykatës Kushtetuese. Ai ngriti gjithashtu dyshime për laboratorin dixhital të SPAK-ut, duke deklaruar se nuk ka informacion mbi akreditimet dhe standardet ISO që përdor.

Ish-ministri vuri në diskutim edhe akuzën për vjedhje, duke argumentuar se legjislacioni shqiptar nuk jep një përkufizim të qartë të kësaj vepre penale. Sipas tij, ai nuk ka kryer asnjë veprim që mund të konsiderohet vjedhje dhe kërkoi që njoftimi i akuzës të shpallet i pavlefshëm.

Beqaj pretendoi gjithashtu se në aktin e akuzës nuk përcaktohet vlera konkrete e dëmit apo e shumës së pretenduar të vjedhur.

Nga ana tjetër, prokuroria kërkoi kohë për të përgatitur qëndrimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga mbrojtja.

Në përfundim, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e seancës për datën 23 qershor, në orën 13:30.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›