Kupa e Ambasadorit të Japonisë, Gonxhja: Jon Vrenozi, ndër sportistët më të dalluar të këtij edicioni

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Tirana priti për të katërtin vit radhazi Kupën e Ambasadorit të Japonisë, turneun e xhudos dhe karatesë.
Palestra e Parkut Olimpik u kthye për disa orë në një arenë ku u zhvilluan garat.
Në këtë veprimtari ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zëvendësministri i Sportit, Endri Hoxha, presidenti i Federatës së Xhudos, Drin Shkreta dhe presidenti i Federatës së Karatesë, Petrit Baba.
Në këtë edicion morën pjesë 116 sportistë, 64 garues nga sporti i xhudos dhe 52 sportistë dhe specialistë nga karateja.
Ministri Gonxhja theksoi sot se, ndër sportistët më të dalluar të këtij edicioni të Kupës së Ambasadorit të Japonisë (Japanese Ambassador’s Cup) ishte xhudisti Jon Vrenozi, “çun Kombinati”, me 23 vite përvojë në xhudo dhe një emër që nderon sportin shqiptar.
“Me përkushtim, disiplinë dhe një rrugëtim të gjatë në këtë sport, ai arriti të marrë vendin e parë, duke treguar jo vetëm teknikë të lartë, por edhe frymën e vërtetë të garës, respektit dhe karakterit që e bën një kampion të plotë”, u shpreh Gonxhja.
Gonxhja theksoi se, Jon Vrenozi është shembull i asaj që lind nga pasioni, puna dhe dashuria për sportin, një histori suksesi si e shumë talenteve të tjera nga Kombinati, kampionë në disiplina të ndryshme, frymëzon çdo të ri të ndjekë rrugën e vet me vendosmëri dhe besim.
Aktiviteti u organizua nga Ambasada japoneze në Tiranë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Xhudos, Federatën Shqiptare të Karatesë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ky turne ka fituar vend të veçantë në kalendarin sportiv dhe kulturor shqiptar, duke promovuar jo vetëm garën, por edhe vlerat e artit dhe filozofisë së sporteve japoneze.
Xhudoja dhe karateja, dy sporte me origjinë nga Japonia, janë shumë më tepër se një përballje fizike. Ato janë art, kulturë dhe filozofi jete. Ambasada japoneze në Tiranë i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të tyre në Shqipëri, duke mbështetur federatat me specialistë japonezë, trajnim dhe baza materiale që ndihmojnë sportistët të rriten profesionalisht. Ky aktivitet u organizua në kuadër të Javës Kulturore Japoneze.
/gj.m/r.e/