E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kupa e Botës në Ski, Lara Colturi e 7-ta në sllallomin gjigant

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Skiatorja shqiptare Lara Colturi ka zënë sot vendin e 7-të në garën e sllallomit gjigant, në etapën e parë të Kupës së Botës në Ski.

Pas zbritjes së dytë sot në pistën e Soldenit (Austri) skiatorja 18-vjeçare italiane që garon për flamurin kuqezi ka arritur të renditet, me grumbullim pikësh, në vendin e 7-të. Ajo arriti kohën 2 minuta 18 sekonda e 27 të qindtat. Ky është një sukses i madh në karrierën e Colturit, pasi vjet ajo u rendit në vendin e 16-të.

“Kisha shumë emocione, jam shumë e lumtur për atë që kam bërë sot. Gara e parë shkoi më mirë se sa e dyta, por tani kam shumë punë për të bërë. Kam kohë për t’u përmirësuar. Hapja e sezonit në Solden ka emocione të larta, ndërsa është nisja më e mirë që mund të bëja.

Është një lojë e madhe psikologjike, por fatmirësisht kam shumë mbështetës shqiptarë që më përkrahin. Jam shumë e lumtur dhe krenare që jam pjesë e skuadrës shqiptare dhe që shoh kaq shumë flamuj kuqezi këtu në Austri. Po punoj shumë për teknikën dhe dua që të bëj sa më mirë në garat e ardhshme”, tha mes të tjerash Lara Colturi pas garës.

Vendin e parë e fitoi austriakja Julia Scheib, e cila e fiton Kupën e Botës për herë të parë në karrierën e saj, duke fituar slalomin gjigant në Solden, garën hapëse të sezonit 2025-2026.

Asnjë skiatore austriake nuk e kishte fituar këtë disiplinë që nga viti 2016, dhe Scheib e arriti këtë me dy skijime të shkëlqyera, duke e përfunduar me kohën: 2 minuta 16 sekonda e 51 të qindtat.

Vendi i dytë i shkoi amerikanes Paula Moltzan (2:17:09) dhe i treti zviceranes Lara Gut-Behrami (2:17:62), përpara amerikanes Mikaela Shiffrin.

Gara e radhës e Kupës së Botës për femra është pas dy javësh, me sllallomin në Levi (Finlandë), mbi Rrethin Arktik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›