Kuqezinjtë: Ndaj Serbisë na mungoi vetëm goli

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Pas barazimit 0-0 ndaj Serbisë kanë folur për mediet lojtarët e Kombëtare.
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti u shpreh se barazimi është keqardhja më e madhe.
“Barazimi është keqardhja ime më e madhe. Me atë penallti, nëse do ta bënim gol, kjo ndeshje përfundonte 2, ose 3-0 për ne. Nuk ishte ndeshje e lehtë. Kishte shumë presion. Vetëm me këtë zemër, duke lënë gjithçka në fushë, kemi kënaqësinë të luajmë”, tha ai.
Gjimshiti pati fjalë të mira edhe për Julian Shehun, teksa u shpreh se e befasoi në grumbullimin e parë në stërvitje, teksa përgëzoi të gjithë djemtë për paraqitjen.
“I kam pyetur djemtë: “Ku ka luajtur ky”? Sot të gjithë janë për t’u përgëzuar. Edhe mua më pëlqen të luaj ofensiv, ashtu si luaj te Atalanta. Por duhet të respektojmë taktikën e zgjedhur. Kemi shumë lojtarë me cilësi në sulm. Ishte pak rrezik të luanim në këtë mënyrë në sulm. I thashë çunave që sa herë të merrni topin, hyni një kundër një. E pamë që e bëri Broja me Pavloviçin. Vetëm kështu mund të realizojmë këtë ëndërr për të shkuar në Botëror”, tha Gjimshiti.
Ndërsa sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja u shpreh se Kombëtares i mungoi vetëm goli, pasi paraqitja ishte pozitive.
“Serbia është ekip i vështirë, shumë fizik. Kishim disa raste për të shënuar. Kishim edhe një moment shumë të madh nga penalltia. Në pjesën e dytë u futëm disi të mërzitur, por luajtëm më mirë. Nuk kanë bërë shumë aksione, patën raste nga krosat. Luajtëm më mirë se ata, me këtë paraqitje duhet të merrnim 3 pikë. Na mungoi vetëm goli. Kemi bërë gjithçka mirë. Kemi pasur shumë raste, kemi goditur portën. Na mungoi vetëm goli sot, kemi pasur shumë raste shënimi”, tha ai.
“Kemi grup super, të gjithë çunat janë të mirë dhe lojtarë të mirë. Jemi bashkuar shumë më shumë si ekip. Unë jam sulmues, trajneri ndërton ekipin dhe më tha se kishte më shumë hapësira në krahun e djathtë. Unë dua të jem një lider i skuadrës, që të jap maksimumin gjithmonë, unë di t’i luaj të 3 pozicionet. Kam qejf të bëj diferencën me topin. Isha pak i mërzitur me veten, duhet të krijoja më shumë shanse”, tha Broja.
Për penalltinë e humbur nga Manaj, Broja u shpreh se, “Manaj është superlojtar. Kjo gjë i ndodh çdo lojtari, i ka ndodhur edhe Ronaldos dhe Messit. E gjuajti shumë mirë penalltinë, por e priti portieri. I thamë Manajt të mos mërzitej. Me shanset që kishim, duhet të bënim gol dhe të fitonin ndeshjen”, tha Broja.
Ndërsa mesfushori Julian Shehu ishte një nga më të mirët në fushë, duke shpërblyer besimin.
Pas ndeshjes Shehu deklaroi se kuqezinjtë meritonin fitoren, ndërsa shtoi se për paraqitjen ekipi mori përgëzime edhe nga trajneri Silvinjo.
“Dua të përgëzoj çunat, sepse dhamë gjithçka në fushë. Meritonim fitoren. Humbëm një penallti, por futbolli i tillë është. Vazhdojmë përpara. Silvinjo na dha detaje për ndeshjen dhe në përgëzoi. Na tha që kemi ndeshjen tjetër dhe të jemi të fokusuar aty. Mora një goditje në 10 minutat e para dhe pas kalimit të minutave, u shtuan dhimbjet. Në fund nuk doja të rrezikoja për ekipin”, u shpreh Shehu.
/a.f/