E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur të ikën karrigia e pushtetit, të mbetet divani i panairit/ Rama s’i dha infrastrukturën, Gonxhe bojkoton votimin për Ballukun

Në mjediset e politikës qarkullon një rregull i pashkruar: politika shpesh nuk bëhet në foltoren e Kuvendit, por në korridore, në kafe të shpejta, ndonjëherë, edhe në panaire divanesh.

Kjo e fundit duket se përshkruan më së miri mungesën e çuditshme të Blendi Gonxhe në seancën e fundit parlamentare, një mungesë që në grupin socialist është komentuar me buzëqeshje të përmbajtur dhe disa shikime kuptimplota.

Duke qene se është pjesë e korridoreve dhe e di mirë sesi behet politika aty dhe çfare thuhet, stafi i ministrit u kujdes që menjëherë pas mbarimit të votimit të shpërndante nje mesazh të shkurtër ku tregonte se pse kishte munguar.

Ne mesazh thuhej se, “ministri sot ndodhet në Kanë, Francë, në kuadrin e pavionit të Shqipërisë në Eventin më të madh botëror, MIPIM, ku ekspozohen projektet zhvillimore të turizmit dhe mikpritjes, për promovim e takime me investitorë globalë, si drejtues delegacioni në axhendën e datës 12 mars”. Shkurt e shqip një alibi perfekte, ndonese qesharake, për të larë veten nga pergjegjësia para grupit parlamentar socialist.

Tashmë jemi mësuar me faktin se në PS zyrtarisht askush nuk thotë gjë. Por në bisedat e korridoreve përmendet një histori që nis shumë më herët se ai i panairit të divanave. Thuhet se Gonxhe kishte një dëshirë të kahershme për të marrë drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një ministri me peshë, me projekte të mëdha dhe, mbi të gjitha, me ndikim real në qeveri. Por Edi Rama vendosi ndryshe, duke i besuar këtë portofol një figure të re dhe shumë më profesioniste si Enea Karakaçi.

Në politikë, thonë, zhgënjimet nuk shpallen me deklarata shtypi. Ato shfaqen në mënyra më të vogla: në mungesa të papritura, në vota të ftohta apo në heshtje të zgjatura. Disa brenda grupit parlamentar të socialistëve e lexuan kështu edhe qëndrimin e Gonxhes, sidomos në momentin kur grupi kërkonte disiplinë të plotë për çështje delikate si votimi për imunitetin e Ballukut.

Historia, megjithatë, nuk mbaron te një ministri e humbur. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit të kaluar, njerëzit pranë Gonxhes, sipas socialistëve që e njohin mirë terrenin elektoral të Tiranës, flisnin me një optimizëm të pazakontë për një tjetër horizont: Bashkinë e kryeqytetit. Ideja që ai do të ishte kandidati i radhës për të drejtuar Tiranën qarkullonte në shumë takime elektorale, shpesh e shoqëruar me premtime të nënkuptuara për të ardhmen. Një dëshirë që nuk u realizua sepse tashmë të gjithë e dimë që politika ka një zakon të vjetër: rrugët që duken të hapura shpesh mbyllen në momentin e fundit. Zgjedhja e Ogerta Manastirliu për këtë rol, sipas socialistëve që flasin nëpër korridore, e la Gonxhen sërish në hijen e një posti që nuk i erdhi kurrë.

Brenda PS-së ka edhe nga ata që thonë se kjo histori është thjesht një episod i zakonshëm ambiciesh politike. Të tjerë, më cinikë, kujtojnë se Gonxhe ka qenë gjithmonë një figurë që ka lëvizur në kufirin mes profilit teknik dhe atij politik. Një njeri që ka kaluar shumë poste, por që gjithmonë ka kërkuar atë hapin e madh që do ta nxirrte në rreshtin e parë të pushtetit.

Sigurisht, kundërshtarët politikë nuk e kanë kursyer ndër vite. Kur ishte nënkryetar i Bashkisë së Tiranës në fillim të viteve 2000, nga Partia Demokratike e Shqipërisë janë ngritur akuza për përqindje në leje ndërtimi në zonën e Komunës së Parisit , akuza që kanë mbetur më shumë si pjesë e retorikës politike të asaj kohe sesa si histori të mbyllura në gjykata.
Më vonë, në poste të tjera, emri i tij është përmendur shpesh në debate për konflikt interesi, kontrata publike dhe lidhje me kompani familjare që përfitojnë fonde publike.

Në politikën shqiptare këto akuza shpesh qarkullojnë si legjenda urbane: të njohura nga të gjithë, por rrallë të provuara deri në fund. Ndaj, kur sot përmendet mungesa e Gonxhes në Kuvend për një panair divanesh, disa socialistë e shohin me humor. Të tjerë me ironi. Sepse në fund të fundit, thonë ata, në politikë ndodh shpesh që disa mbeten në divan duke pritur radhën… ndërsa të tjerët ulen në karriget e pushtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›